12 Shkurt, 2020 - 9:02 am
Piktura e titulluar “Spërkatja” e piktorit britanik, David Hockney, është shitur në ankand për 23.1 milionë funte.
Vepra e punuar në vitin 1966 ishte shitur për herë të fundit në vitin 2006 për 2.9 milionë funte dhe u kthye përsëri të martën në të njëjtën shtëpi të ankandeve për t’u shitur me një çmim shumëfish më të lartë.
Ky ishte çmimi i tretë më i lartë në një ankand për një vepër të këtij piktori. Piktura e shitur të martën në mbrëmje është pjesë e një serie prej tri veprave me të njëjtin emër, ku paraqitet magjepsja e gjatë e artistit me dukjen e ujit.
“Të gjithë e dinë se spërkatja nuk mund të ngrihet në kohë, prandaj kur e shihni atë si në pikturë, është edhe më tërheqëse se në fotografi”, kishte thënë artisti para shumë vjetëve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Emma Baker, kryetare e shtëpisë së ankandeve “Sotheby”, ku u shit piktura, tha: “Edhe nëse shikojmë përtej shekullit të XII-të, pak vepra arti kanë mbetur aq mitike sa kjo pikturë.” / KultPlus.com