11 Maj, 2018 - 11:50 am
Galeria e Ministrisë së Kulturës ka mirëpritur mbrëmë ekspozitën “Kur epshi kacafytet me ankthin koloristik” të piktorit Klodian Valla. Kështu muret e kësaj galerie u veshën me piktura të cilat ishin ndarë nëpër cikle si “Portretet”, “Drunjtë” dhe “Kompozicionet”. Cikle këto të cilat vinin në pah anën shpirtërore të artistit dhe ku asgjë nuk ishte reale, edhe pse mund të krijohej një përshtypje e tillë, shkruan KultPlus.
Alberina Haxhijaj
Pikturat e ekspozuara e që ishin 17-të, element thelbësor kishin koloritin e natyrshëm e që buron nga thellësia shpirtërore e piktorit. Është vet piktori ai që arrin të shoh përtej këtyre pikturave. Prandaj, ai i ftonte të pranishmit të shikonin përtej drunjve apo përtej portretit dy ngjyrësh, kuq dhe verdhë, të bukuroshes Manon Lesko. Ndërsa thekson se ai shpreh vetëm atë që ndjenë dhe shumë pak atë që e sheh.
“Falënderoj të gjithë që kanë gjetur kohë që të vijnë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë ekspozitë. Unë dëshirojë që të them se para jush kam shprehur atë që e ndjejë dhe jo atë që shoh. Unë shoh ndryshe nga të tjerët, për shembull drunjtë nuk i shoh siç i shohin të tjerët, ndonjëherë i shoh edhe si fytyra e ndonjëherë edhe si drunjë. E kjo vlen edhe për portretet dhe kompozicionet”, u shpreh piktori Klodian Valla.
Dy veprat të cilat tërhoqën edhe vëmendjen e publikut, e të cilat i kishte për zemër edhe kuratori i kësaj ekspozite Shyqri Nimani, tregonin interesin që ka poeti për personazhet e shquara historike apo edhe beletristike.
Pikërisht te portretet piktori solli portretin e Mbretëreshës Teutë, një transformim imagjinar i mbretëreshës së antikitetit ilir në një gocë të hijshme, pasardhëse kontemporane shqiptare.
“Kjo pikturë është mbresëlënëse me tërë tiparet e saj gracioze dhe me transponimet e guximshme koloristike: e kuqrremta, e kaltra, e blerta, tirkizja dhe e verdha me të gjitha nuancat e tyre, rrezatojnë rezonanca të këndshme flakëruese”, shprehet Nimani.
Ndërsa piktura “Portreti i Manon” është pasojë e ngulitjes së thellë në kujtesën e Klodit , e protagonistes kryesore kontraverse të romanit të shkrimtarit francez Abbe Prevost, bukuroshja Manon Lasko.
Për kuratorin Nimani pikturimi i portreteve është diçka që asnjë piktor nuk mund ti shmanget dhe të gjithëe kanë bërë se paku një portret. Ndërsa thekson se Klodiani nuk kishte sesi ti shmangej portretit, pasi që pikërisht babi i tij, artisti Esat Valla, njihet për portretin e Hasjanës.
“Kompozicionet e Klodit karakterizohen me trajta dhe ngjyrat e sajuara me invencë, qoftë kur kanë përmbajtje të caktuar paraprakisht apo kur sintetizojnë shëmbëllesa sponatane për të shfaqur shpërthime të brendshme ekspresive. Është e qartë se piktorit parapëlqen një shprehje vetanake për të arritur vlera të qëndrueshme “evergreen’, se sa të përfshihet nga ndikimet e murlanëve të rastit, jetëshkurtër, që sjellin trendët kontemporane”, thekson kuratori Shyqri Nimani.
Këto punime janë bërë gradualisht nga piktori që nga viti 2000, ndërsa katalogu i kësaj ekspozite përfshinë 25 punime, të cilat dallohen me stilin e kombinuar abstrakt dhe surreal.
Të gjithë të pasionuarit pas pikturës do të kenë mundësinë që të shohin këtë ekspozitë deri më 24 maj./KultPlus.com