Pinoku po vjen në Kosovë, 62 prezantime të kësaj figure do të prezantohen nga 31 artistë

5 Prill, 2024 - 12:46 pm


Me rastin e 140-të vjetorit të botimit të parë të librit të Carlo Collodi “Aventurat e Pinokut- historia e një kukulle prej druri” do të prezantohet në Kosovë nëpërmjet një ekspozite me 62 prezantime që i dedikohen kësaj figure, e që janë realizuar nga 31 dizajnerë dhe 31 grafistë, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të prezantohet në Prishtina Mall, më 6 prill, në ora 19:00, ekspozitë kjo që vjen e kuruar nga Giulio Lacchetti, me dizajn të Matteo Vercelloni dhe me dizajn grafik nga Federica Marziale Ladevaia.

Kjo ekspozitë që do të prezantohet në Kosovë deri më 29 prill është rezultat i bashkëpunimit mes Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës (IIC) dhe Agjencisë ICE/ITA në Tiranë, përgjegjëse edhe për Kosovën, si dhe “Prishtina Mall”.

“140-vjetori i librit të Collodi është një mundësi për të festuar dhe përkujtuar një kryevepër të letërsisë italiane, por edhe për të theksuar natyrën multidisiplinare të dizajnit që frymëzoi figurën e Pinokut, një dizajn që është trashëgimi e një pasurie kulturore të aftë për të bërë pyetje për t’iu përgjigjur nevojave të përditshme”, shpjegon Ambasadori italian në Kosovë Antonello De Riu.

“Ne jemi veçanërisht krenarë për këtë bashkëpunim kulturor me Ambasadën Italiane dhe aktorë të tjerë të Sistema Italia në Kosovë, i cili filloi me ‘Javën e Kuzhinës Italiane në Botë’. Gjurmë të dizajnit italian dhe produkte të shumta ‘Made in Italy’ janë shpërndarë në të gjithë qendrën tonë tregtare, e cila me hapësirat dhe ofertën e saj të larmishme synon të jetë një urë mes kulturave”, shton Alvaro Costa nga “Prishtina Mall”.

PINOKU DHE EKSPOZITA

“Aventurat e Pinokut. Historia e një kukulle prej druri” është një roman fantastik për fëmijë, i shkruar nga Carlo Collodi, pseudonimi i gazetarit dhe shkrimtarit Carlo Lorenzini, botuar për herë të parë në Firence në shkurt 1883. Rrëfen përvojat tragjikomike të Pinokut, një kukull prej druri që nga zdrukthëtari Xhepeto konsiderohet sikur të ishte i biri, i cili, falë ndihmës së Zanës me flokë të kaltër, arrin të piqet moralisht derisa bëhet një fëmijë i vërtetë. Versioni i parë shqip i librit u botua nga Cuk Simoni në vitin 1935.

Ekspozita “Pinoku shumë i dashur” u ekspozua në “ADI Design Museum” në Milano nga fundi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2024, duke tërhequr mbi 20 mijë vizitorë. Falë bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, ekspozita filloi një turne ndërkombëtar dyvjeçar, i cili tashmë ka prekur San Franciskon dhe Shkupin. Pas ndalesës në Prishtinë, ekspozita do të ndalet në Tiranë dhe më pas në Beograd. Më pas, do të vazhdojë udhëtimin e saj në pjesën tjetër të Evropës, Azisë dhe Amerikës. Në fund të turneut udhëtues, 62 Pinokët të realizuar posaçërisht do të shiten në një ankand bamirësie./ KultPlus.com

Të ngjajshme