25 Gusht, 2022 - 1:04 pm
Pjetër Raboshta, fotografi shkodran numëron në fondin i tij të ruajtur në muze mbi 16.000 poza të shkrepura në film.
“Në vitin 1970, Pjetër Rraboshta i dhuroi shtetit arkivin e tij prej 16.196 imazhesh të realizuara në film”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila përgjatë gjithë muajit gusht ka zgjedhur të postojë foto të mjeshtrave shqiptarë, në kuadër të “Muajit të Fotografisë”.
Pjetër Rraboshta lindi në Shkodër, më 1917-ën. Mbasi kreu gjimnazin në Shkodër, shkoi si nxënës në studion e fotografit Kel Marubi. Rreth moshës 20 vjeç shkoi ushtar në Gjirokastër ku ushtroi profesionin e fotografit. Mbas mbarimit të shërbimit ushtarak rikthehet pranë Dritëshkrojës “Marubi” si nxënës bashkë me djalin e Kelit, Gegën.
Falë aftësive të tij, mjeshtri e aktivizon si ndihmës deri në vitet 1940. Rreth viteve 1942-1943 hap studion e tij “Foto Rraboshta” në rrugën kryesore të qytetit. Ishte një studio e plotë me mjedisin e fotografimit dhe laboratorin e larjes së filmave dhe të fotografive. Krahas punës në studio, fotografon edhe në lulishten e qytetit, ndjek aktivitetet fetare, tregtare, sportive, manifestimet politike e të tjera.
Mbas Çlirimit ka punuar shumë edhe si fotograf i dokumenteve të letërnjoftimeve. Njerëzit e quanin “Rraboshta i fëmijëve” pasi filloi të fotografonte kryesisht fëmijë. Në filmat e tij të ruajtur në arkivën Marubi gjenden shumë fotografi të fëmijëve në çaste të ndryshme si dhe në ditën e krezmimit. Ishte fotografi që solli një imazh ndryshe nga Marubët, më realist, e herë herë dramatik.
Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private hyri në repartin e fotografëve pranë Ndërmarrjes së Riparim-Shërbimeve. Në vitet `70 dorëzoi arkivin e vet fotografik (filma e foto të formateve të ndryshme). Fondi i tij i ruajtur në muze numëron mbi 16.000 poza të shkrepura në film. / atsh / KultPlus.com