6 Gusht, 2020 - 3:36 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin e autorizuar të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i OEAK-ut.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe OEAK-ut në nisma të përbashkëta të cilat janë në interes të dyanshëm dhe në dobi të promovimit të projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme.
Ministrja Dumoshi tha se është e gatshme të bashkëpunojë me OEAK-un në projekte që ndërlidhen ngushtë me fushat që mbulon ministria. Ajo e njoftoi drejtorin Zeka për angazhimet që po ndërmerr MKRS-ja në kohën e pandemisë, duke realizuar aktivitete në distancë në pamundësi për të konkretizuar shumë pjesë që janë paraparë në programin e sivjetmë të ministrisë.
Ndërkaq, përfaqësuesi i OEAK-ut, Arian Zeka, e njoftoi ministren për punën që realizon Oda dhe e informoi për planet që kanë për realizimin e një ekspozite me fotografi për përvjetorin e vizitës së parë senatorit Robert Dole në Kosovë, me ç’rast kërkoi edhe mbështetjen e MKRS-së.
Ministrja Dumoshi tha se senatori Dole ka bërë aq shumë për Kosovën sa që meriton çdo respekt, mirënjohje dhe falënderim. Një ekspozitë për vizitën e tij në Kosovë do të ishte e mirëpritur dhe do ta përkrahim pa hezitim, tha ministrja.
Ministrja Dumoshi e drejtori Zeka u pajtuan që do të konkretizojnë veprimet për realizimin e ekspozitës në mënyrë artistike e profesionale, e cila planifikohet të realizohet në Prishtinë. / KultPlus.com