20 Qershor, 2019 - 1:59 pm
Dy gazetarët e Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të pushkatuar 40 vite më parë, e deshën aq shumë këtë vend, profesionin e tyre, aq shumë besonin tek kultura e fjala, sa në fund fare mbetën thjesht një jehonë për të gjithë ata që kanë veshë për të dëgjuar një histori të jashtëzakonshme të dy dëshmorëve të fundit.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në nderim të dy gazetarëve, varri i të cilëve nuk u gjend kurrë, por që sot kanë një shenjë të dedikuar kujtese në fushën e gjelbër të Kryeministrisë.
“Nëse shohim të gjithë historinë e tyre duket sikur prania e mungesës është ajo çka ata nuk mund të mos e linin pas. Padyshim që zhdukja e eshtrave të tyre është një zgjedhje barbare e vrasësve të tyre, por në fund të ditës duket se është pikërisht përmes pranisë së mungesës që ata janë më shumë se çdo të ishte sot një varr”, – theksoi Rama.
Prandaj, vijoi Kryeministri, mbase është gjëja e duhur në pamundësi të një varri ta celebrojmë praninë e mungesës së tyre në këtë hapësirë të gjelbër duke ua dedikuar pikërisht mungesës dhe duke i ofruar kujtimit të tyre një hapësirë që nuk e di për çfarë arsye, por ata vetë do ta kishin pëlqyer në raport me një varr.
“Jemi pothuajse tri javë nga përkujtimi i 40-vjetorit të pushkatimit të dy gazetarëve të Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Shumica e të pranishmëve sot këtu panë ndoshta për herë të parë fytyrat e dy gazetarëve gjatë minutës së heshtjes dhe në vijim, një minutë heshtje nën shembullin e dhjetëra faqeve të mbrojtjes para gjyqit që Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho e kthyen në një nga akt akuzat më të fuqishme ndaj regjimit diktatorial, kur ky i fundit ishte aty i tëri dhe fuqiplotë”, – theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se “janë shëmbëlltyra të hijshme, por edhe të dhimbshme. Nëse shumë prej jush patë sot për herë të parë ç’ka mbetur nga këto shëmbëlltyra të dy burrave, pas vrasjes, mbi vrasjen, hakërrimit mbi kujtesën që ishte karakteristikë e një regjimi errësire askush prej nesh, as të afërmit, siç e dëshmoi sapo njëri prej familjarëve nuk ka parë ende që t’iu jetë falur një vend prehje, një banesë e fundit, një mbishkrim, një varr qoftë edhe kujtese. Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho shumë djalosharë në dënimin e parë u burrëruan, ashtu si vetëm Spaçi mund të burrëronte apo gjunjëzonte edhe karakteret më të skalitur”.
Për habi, vijoi ai, dhe për mrekullinë e një regjimi të kobshëm që u rrek t’i shpërbënte deri në grimcat e fundit të qenies, këta dy gazetarë u kthyen në dy kokrriza rëre që çakërdisën gjithë ingranazhin në dy grimca kripe që i japin shije dheut të asaj kohe, që i ngjan një shkretëtire dhe në forcën e një shembulli që si çmim dhe si shpërblim ka vetëm vetëdijen e lirisë.
Duke sjellë në vëmendje një libër pak të njohur të shkruar nga Ismail Kadare “4 përkthyesit”, ku shkrimtari i madh shkruan “Enver Hoxha i zgjidhte shpejt dilemat e vështira me joshjen dhe shkatërrimin”, Kryeministri Rama tha se “me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, nuk ia doli as duke performuar njërën dhe as duke kallur datën me tjetrën dhe cilët ishin këta dy djem dhe burra është e kotë që ta kërkosh nëpërmjet një rrjedhe biografike.
“Ma ha mendja se aq më pak mund të kuptohet vetëm nëpërmjet episodeve të arrestimit, vuajtjes në burg, të letrave të dërguara nga Spaçi, udhëheqësit kryesorë dhe udhëheqësve të nënrenditur, apo edhe ridënimit fatal. Brilantë ndonëse diskretë, krenarë, ndonëse pa asnjë fodullëk, me një mendje të hapur dhe të shenjuar nga pasioni sa për vatrat e tyre plagëhapura nga rrebeshi i diktaturës që e morën të tërin mbi trup, aq edhe për idetë që mishëronin dhe për atdheun që i dha mish e kocka gjithë utopisë së tyre”, – tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “dy gazetarë të dashuruar marrëzisht me profesionin që u angazhuan për të promovuar një frymë lirie dhe cilësi emancipimi që për herë të parë dhe paradoksialisht Shqipërisë i frynte asokohe edhe nga Lindja, ndonëse përkohësisht”.
“Me shumë respekt dhe mirënjohje për thesarin që ata lanë në memorien e këtij kombi dhe me shumë nderim për familjarët do të doja që së bashku të vendosim një lule pranë një pllake modeste në homazh të dy gazetarëve”, – tha Rama. /Asht/KultPlus