23 Tetor, 2017 - 5:28 pm
Vladan Jeremić dhe Uroš Jovanović janë arrestuar nga Policia e Serbisë pasi kanë “ofenduar”, sipas Policisë, presidentin Aleksandar Vuçiç gjatë ceremonisë së ri-hapjes së Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd.
Me datë 20 tetor, në ceremoni të dy artistët dhe një grup artistësh performuan një ndërhyrje duke u revoltuar për influencën autokratike politike në jetën kulturore e artistike në Serbi.
Grupi The Unbribeables disa ditë më herët i kishte ftuar qytetarët të bashkoheshin në këtë performancë artistike, ku u mbajtën maska me fytyrën e Vuçiçit, shkruan KultPlus.
Artistë të ndryshëm dhe opozita kanë reaguar ndaj arrestimit të artistëve. Vesna Marjanoviq, një deputete nga opozita serbe, ka shkruar se kjo është strategjia për kulturë e shtetit: që artistët të jenë pas grilave e politikanët të vazhdojnë tutje.
Muzeu i Artit Bashkëkohor në Serbi ka qenë i mbyllur për dhjetë vite, ndërsa vizitorët e parë i ka pasur gjatë kohës së komunizmit. / KultPlus.com