23 Shkurt, 2020 - 5:25 pm
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, me 26 shkurt hapin ekspozitën ‘Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi’.
‘Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi’ do të hapet me rastin e shënimit të 84-Vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.
Do të ekspozohen: piktura e fotografi të figurës së shquar shqiptare – Adem Demaçi.
Ekspozita do të hapet në Hollin e ekspozitave të Bibliotekës, më 26 shkurt 2020, në orën 11:00.
Adem Demaçi u rrit në një familje të varfër të Prishtinës. Babai, Zeqiri, i vdiq shumë herët nga tuberkulozi. Demaçi nuk i kishte mbushur as plot tetë vjet. Gjithë barra e familjes ra mbi të vëllanë e tij të madh, Maliqin, i cili, si gazetashitës, ia doli me shumë vështirësi të siguronte kashatën e gojës për familjen .
Në vitet ’50 Demaçi shkroi në revistën letrare “Jeta e re” drejtuar nga Esad Mekuli, dhe më 1958 shkroi romanin e tij të parë Gjarpijt e gjakut që trajton temën e gjakmarrjes në viset shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Adem Demaçi ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova. Më 2010 mori titullin Hero i Kosovës. / KultPlus.com