19 Korrik, 2021 - 11:30 am
Në kuadër të edicionit të tretë të Autostrada Biennale u hap ekspozita “Herstories”. Autorja Małgorzata Mirga -Tas është një artiste rome e arteve vizuale që vjen nga Polonia, shkruan KultPlus.
Ajo bashkë me anëtarët e komunitetit rom nga Prizreni, e kanë veshur një shtëpi pranë lumit Lumbardh, duke e mbuluar atë me një seri të portreteve të grave të jashtëzakonshme rome, vendase dhe ndërkombëtare.
Shpresa Agushi, Nicoleta Bitu, Zinet Galushi, Delaine Le Bas, Esma Redjepova janë gratë të cilat u portretizuan në mënyrë artistike. Kolazhet nga Mirga -Tas janë krijuar me fragmente të pëlhurave të ndryshme.
Shumica e tyre janë marrë direkt nga gardëroba e grave të portretizuara dhe përbëhen nga pjesë të fundeve, shamive apo bluzave të qëndisura mbi perde, rroba të shtratit dhe lecka.
Pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ishte edhe zëvendësministri i MKRS, z. Sejnur Veshall i cili në fjalimin e tij tha që puna në këtë ekspozitë tregon që për gratë rome të cilat ishin dhe janë aktive, që ato punojnë për ndryshim, luftojnë për edukimin e fëmijëve të tyre dhe duan që zëri i tyre të dëgjohet në mjedisin rom që zakonisht është shumë tradicional. Ekspozita është e hapur për dy muajt e ardhshëm, në Komunën e Prizrenit, në rrugën “Remzi Ademaj”./ KultPlus.com