21 Prill, 2022 - 12:14 pm
Flonja Haxhaj
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, mbrëmë kishin ateruar figurat më të njohura të historisë dhe kulturës shqiptare. Një frymë ndryshe kishte mbërthyer këtë ambient që si dukej po dërgonte porosi se ata ishin aty dhe ju nuk duhej munguar.
Mbretëresha Teutë, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Pandeli Sotiri, Shote Galica, Nënë Tereza, Marie Shllaku, Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Anton Çetta, Agim Ramadani, Madeleine Albright e Leze Qena, mbrëmë kishin marrë formë tjetër. Me një thjeshtësi dhe elegancë të jashtëzakonshme, artisti Visar Kryeziu, i kishte sjell këto figura të rëndësishme shqiptare përmes artit të tij të veçantë. Me vetëm një vijë, këto figura kishin marrë formën perfekte dhe sikur komunikonin me të pranishmit dhe një qetësi të pashoqe, përcjell KultPlus.
Këto portrete të veçanta dhe unike, të realizuara në vetëm një vijë erdhën të shoqëruara edhe me punimet e realizuara me anë të telit për tu ekspozuar mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery.
Artisti Visar Kryeziu i cili jeton në Zvicër, këto punime i nisi me vetëm një qëllim, që në shtëpinë e tij të ketë një ambient ku fëmijët të rriten duke i parë figurat e rëndësishme shqiptare. Por, ky qëllim madhor i Visarit, rezultoi të shndërrohet në një art që e përqafuan të gjithë e në këtë formë ta sjellin në vendlindje edhe më një ekspozitë që mblodhi shumë artdashës.
Hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, e cila falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen e më pas tregoi se si erdhi deri tek realizimi i kësaj ekspozite.
“Këtë herë në KultPlus e kemi ftuar Visar Kryeziun, i cili ka ardhur nga Zvicra. Ideja për realizimin e kësaj ekspozite ka ardhur qysh nga realizimi i portretit të Skënderbeut, që Visari e postoi në ciklin e parë dhe vazhdoi tutje, vazhdimisht duke sjellë edhe figura të tjera poashtu shumë të njohura të kulturës dhe historisë shqiptare ndaj edhe vendosëm me e mbajt këtë ekspozitë”, tha Pajaziti e cila falënderoi artistin Kryeziu për këtë përzgjedhje të figurave, me të cilat sipas saj krenohet i gjithë populli shqiptar.
Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe kuratori, Ilir Muharremi, i cili vuri në pah se krijimi i këtyre portreteve ka bërë që artisti Visar Kryeziu tashmë të identifikohet me stilin e tij, atë të vizatimeve me një vijë.
“Për mua si kurator, është një përvojë e madhe duke qenë kurator në shumë ekspozita, në pothuajse 60-70 ekspozita, por kjo ekspozitë për mua është shumë e veçantë, sidomos te vizatimi, sepse ne e dimë që tek arti pamor, pikënisja, baza ose zanafilla e çdo emocioni është vizatimi, qoftë skulptor, qoftë mozaik, qoftë bitrazh, vizatimi është baza. Visari trajton një vizatim shumë të veçantë, një vizatim që kuadron gjestin, sikurse skulptori i cili me talentin e kap gjestin në skulpturë, Visari në vizatim ka gjestin e figurave të famshme historike që i kemi ne, qoftë nga rilindja apo nga antikiteti”, u shpreh Muharremi.
E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, ishte i pranishëm edhe gazetari i njohur, Enver Robelli, i cili e konsideron shumë të rëndësishme këtë ngjarje, që “bëri bashkë” shumë figura të rëndësishme kombëtare.
“Visari po vjen nga Cyrihu për të sjellë një ekspozitë me figura kombëtare, disa nga këta njerëz kanë një përvojë në botën perëndimore, pak kush e di që Adem Jashari ka qenë në Zvicër, Agim Ramadani ka ardhur nga Zvicra këtu, Ibrahim Rugova ka fluturuar vazhdimisht prej Cyrihut nëpër botë për ta internacionalizuar çështjen e Kosovës, Adem Demaçi po ashtu”, tha Robelli i cili tutje u shpreh i bindur që Visari do të vazhdoj që me këtë thjeshtësi dhe elegancë të sjellë edhe më shumë figura shumë të rëndësishme të historisë, kulturës, të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që kufizohen me Kosovën.
Më pas, për KultPlus foli edhe vetë artisti Kryeziu i cili tregoi se si erdhi ideja e realizimit të këtyre portreteve në një vijë, stil ky i cili në Kosovë vjen për herë të parë.
“Punimi i parë ka qenë portreti i Skënderbeut, e publikova në rrjete sociale dhe u pëlqye shumë, sa nuk e kam prit fare. Më pas vendosa të vazhdoj edhe në punime të tjera të cilat u pëlqyen shumë, pastaj pata kontakt edhe me KultPlus të cilën më ftuan për hapje të ekspozitës dhe më dhanë guxim, motivim dhe mbështetje dhe për këtë vendosa të vijë dhe ta realizoj ekspozitën”, deklaroi Kryeziu për KultPlus.
Ai tutje shpjegoi se në realizimin e këtyre portreteve të figurave që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare ka ndikuar edhe fakti që ai jeton në Zvicër.
“Kam dashur ta kem një ambient në shtëpi ku fëmijët e mi rriten brenda frymës shqiptare, ku do të jenë prezentë portretet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shtoi më tutje ai.
Ndërkaq, artisti Kryeziu përveç realizimeve të portreteve me një vijë, artin e tij po e dëshmon në realizimin e portreteve në vetëm një tel. Ai tregon për KultPlus se pas vizatimeve në një hapësirë të bardhë, u intrigua që ato portrete t’i realizojë edhe me një tel.
“Ideja për realizimin e portreteve me tel erdhi duke i parë këto vizatime me një vijë në hapësirën e bardhë, e thashë me vete sa interesante do të dukej sikur ky portret të qëndronte në ajër, e mendja më shkoi tek teli”, thotë Kryeziu i cili shton se më pas e provoi me një tel që e kishte pranë vetes, i cili ndonëse më vështirë i punueshëm, arriti ta bëjë figurën e Rugovës.
Kryeziu, i cili tashmë po identifikohet me këtë stil arti, thotë se do të vazhdojë të realizojë edhe shumë portrete të tjera të historisë shqiptare.
Ekspozita ‘Në një vijë me Visar Kryeziun’ është realizuar nga KultPlus dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ujë Rugova dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 2 maj në KultPlus Caffe Gallery. Të gjitha portretet janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë me artistin për t’i blerë ato./ KultPlus.com