9 Shkurt, 2022 - 4:00 pm
Era Berisha
Dorëshkrime, vula, gravura, ksilografi, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare, manuskripte mbi pergamenë, buste në mermerë, vepra diverisve të punuara në teknika të ndryshme, mbrëmë kishin zënë vend në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, me rastin e hapjes së ekspozitës të titulluar “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, ekspozitë kjo nga artisti Luan Tashi me kurator Remzi Hasani, që synoi të fuqizojë akoma më shumë figurën tonë historike, Gjergj Kastriot Skënderbeu, shkruan KultPlus.
Kur ora shënoi 19:00, të pranishmit pothuajse mbushën plot hapësirën përreth duke admiruar e duke u përqendruar në jo vetëm pikturat artistike të punuara me temperë afresk apo edhe me vaj, por edhe në fotografitë e dimensioneve të mëdha që artisti Tashi i ka sjellë në një formë të re të artit konceptual. Identifikimi, përshkrimi, interpretimi i përmbajtjes së imazheve, subjektet e përshkruara e deri tek detajet e veçanta të përdorura për ta bërë këtë, duket se kanë krijuar një ikonografi skënderbejane që nga fillimi i ekspozitës e deri në mbarim, duke rezultuar në një gërshetim të stilit artistik dhe dimensionit historik.
Pas hulumtimeve shumë-vjeçare shkencore të portreteve të heroit kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu si vazhdimësi e librit monografik të botuar më parë, artisti Tashi hap këtë ekspozitë që shpërfaqë mbi 65 vepra dhe artefakte të tjera mjaft të begatshme duke filluar qysh nga vepra e parë e skalitur në gurë nga skulptori dhe arkitekti shqiptar Andrea Nikollë Aleksi, punuar në vitin 1455, për të vazhduar tek vepra e punuar nga piktori arbëresh, Roberto Gammone, i cili e ka punuar portretin e Skënderbeut në teknikën ‘vaj në pëlhurë’ në vitin 2018, e deri tek monumenti madhështor i Skënderbeut të skulptorit shqiptar, Bujar Vani, të vitit 2022.
Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës që ka nisur tashmë programin për vitin 2022, shihet qartazi portreti i Skënderbeut në versione të ndryshme nga autorë të ndryshëm të cilët e shfaqin atë zakonisht me kapelë apo përkrenare me kokën e dhisë. Kurse, fytyra e tij është e kthyer anash në gjysmë profil ku dallohet hunda e tij skifter, mjekra e gjatë e rrallë herë atë e shohim edhe me flokë të gjata. Ndërsa, në veshje dallohet mbizotërimi i ngjyrës së kuqe, për ti dhënë kështu atij një karakter të guximshëm e jashtëzakonisht frymëzues.
Tërë këto vepra artistike me një cilësi shumë të lartë sot gjenden gjithandej qyteteve evropiane për të dëshmuar për njërën nga figurat historike dhe këto vepra sot ruhen në galeri, muze, biblioteka si dhe në koleksione private duke filluar nga Vjena, Parisi, Londra e deri në New York.
Nëpërmjet kësaj ekspozite, artisti Luan Tashi konsiderohet se i ka dhënë një dimension të ri projektit të tij studimor, duke e përafruar artistikisht më pranë publikut të gjerë, figurën e Skënderbeut, të këtij kalorësi që deri në fund të jetës së tij u rezistoi me sukses të gjitha sulmeve dhe pushtimeve osmane, i cili duke e mbrojtur popullin shqiptar, u bë edhe mburojë e qytetërimit evropian.
Pastaj në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës për të treguar për këtë ekspozitë që vjen në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga artisti Tashi i cili solli hulumtimin e tij me vite të tëra, foli profesoresha nga Maqedonia e Veriut, Jëlldëz Asani.
“Sa kam përgjegjësinë, po aq kam edhe kënaqësinë që sonte ta bëj hapjen e ekspozitës me fotografi kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Të përzgjedhura në mënyrë artistike nga artisti, portretisti dhe studiuesi shumëvjeçar, Luan Tashi. Kryesisht këto imazhe që do ti shihni këtu shfaqen si faksimile të letërkëmbimeve dhe manuskripteve, si fotografi të stemave dhe vulave por më tepër janë edhe reproduksione të pikturave, skulpturave dhe gravurave”, thotë Asani.
Sipas saj, Skënderbeu sa ka qenë figurë historike, po aq është edhe artistike, andaj dhe jo rastësisht, edhe heroi kombëtar ka frymëzuar një numër të madh të krijuesve nga vendi dhe bota ku figura e tij në vazhdimësi ka qenë objekt trajtimi jo vetëm i historianëve, i letërsisë, dramës, muzikës por edhe arteve pamore.
“Çdo trajtim vizual i kësaj figure personaliteti ka një histori dhe një rrëfim në vete duke paraqitur dokumente, dëshmi historike si dhe mjete komunikimi dhe mediume artistike. Andaj, këto vepra figurative përbëjnë thelbin e idesë dhe subjektin tematik të trajtimit shumëdimensional të Luan Tashit, i cili e pasqyron figurën e Skënderbeut dhe njëkohësisht bënë lidhjet mes pikturës dhe fotografisë. Pra, ai krijon një lloj relacioni që është evidente edhe sonte në këtë ekspozitë”, shpalos Asani.
Ndërsa, kuratori Remzi Hasani foli rreth figurës së Skënderbeut, figurë kjo që është bërë pjesë e arteve shqiptare qysh nga viti 1968.
“Artistët shqiptar e trajtojnë figurën e Skënderbeut dhe ndoqën punën e artistëve botërorë. Figura e tij bëhet pjesë e arteve shqiptare qysh në vitin 1968 me rastin e shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së tij. Busti i portretit të Skënderbeut e vitit 1889 është i punuar nga atdhetari, skulptori dhe piktori Murat Toptani, bust ky që njihet si i pari në botën shqiptare. Versioni i Skënderbeut vjen nga ikonografi Anastas N. Ballamaçi në vitin 1898 i frymëzuar nga piktura e rojës perandorake të piktorit francez Théodore Géricault në vitin 1812. Më 1890, është punuar një portret nga Kolë Idromeno. Figura e tij është e paraqitur edhe në pikturën e punuar më 1927 nga Zef Kolombi”, shpalos Hasani.
Sipas tij, pas një sërë monumentesh të ngritura në sheshet e qyteteve shqiptare, Odhise Pasakli në vitin 1939, realizoi portretin epik të heroit kombëtar me tipare me fuqi titanike. Ndërsa, ndër monumentet më madhështore të figurës së Skënderbeut cilësohet vepra e mjeshtrit shqiptar, Janaq Paço.
Kurse, Don Lush Gjergji, foli për rëndësinë që kjo ekspozitë ngërthen në vete, duke bërë thirrje që kjo ekspozitë duhet të prekë në zemrën dhe ndërgjegjen tonë.
“Skënderbeu është moisiu arbëror edhe pas 554 viteve ai jeton në kujtesën e jo vetëm popullit shqiptar por në atë të mbarë njerëzimit. Kemi shumë elemente dhe dimensione historike dhe aktuale të jetës dhe veprës së tij. Figura e tij zgjon shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime deri edhe tek kundërshtimet apo diskutimet. Kjo dëshmon bindshëm se aktualiteti i tij vazhdon të jetë sfidë për çdo njeri të vullnetit dhe të zemrës së mirë e sidomos për ne, dikur ilir në kohën e tij, arbëror, e sot shqiptar. Ai popullit tonë i’a kthej dinjitetin dhe personalitetin, i’a kthej lirinë dhe pavarësinë duke përmirësuar gabime të shumta të dinastive apo principatave tona të ndara e të përçara. Ky njeri arriti ti bind arbërorët se vetëm të vëllazëruar e bashkuar, mund të jetojmë dhe mbijetojmë”, thotë ai.
Sipas tij, Besëlidhja e Lezhës, akti kulmor i artit dhe strategjisë së vizionit të Skënderbeut, vuri gurë themelin për shtetin arbëror me një kohezion dhe bashkëpunim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit të rëndësishëm, ‘shtet dhe komb’.
“Skënderbeu e ndriçoi dhe vlerësoi historinë tonë ilire, pra lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin duke frymëzuar për vlera dhe virtyte. Kjo ekspozitë e pikturave të ndryshme të kohërave të ndryshme na mëson se Skënderbeu pati forcë, vizion, guxim e trimëri që t’i kthehet vetvetes si ilir, si arbëror dhe të bëjë që principatat shqiptare të jenë të vëllazëruar e të bashkuar, duke lënë anash ndarjet e përçarjet për një ide të lartë të vëllazërimit shqiptar. Kjo ekspozitë nuk mund të shihet vetëm me sy, nuk mund të jetohet vetëm me mend por duhet të prekë zemrën dhe ndërgjegjen e secilit prej nesh se sa ne në Gjergjin tonë, gjejmë pasqyrën për ta parë vetveten, për të qenë vetvetja e për të dëshmuar lashtësinë tonë por edhe të tashmen”, përfundon ai.
Po ashtu, artistja Zake Prelvukaj erdhi me një rrëfim rreth autorit e njëkohësisht bëri thirrje që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
“Sa krenare qëndron sot Galeria, flet ndryshe, flet më shumë se kurrë më gjuhën e shpirtit, gjuhën e shenjtë të kombit tonë. Luani është artist rebel multidisiplinar sepse asnjëherë nuk është ndalë në vetëm një stacion krijues por në shumë prej tyre. Ai gjithmonë vazhdon të hulumtojë duke mos u ndalur fare duke i dhënë vetes detyrë shumë të vështirë; hulumtime në terrene të ndryshme për veprat nga artistë evropianë e shqiptarë si: dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare e të tjera. Për shumë arsye, sidomos për brezin e ri kërkoj që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut tonë Kombëtar”, thotë ajo.
Gjithashtu, artisti Luan Tashi krejt në fund falënderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre duke i përshëndetur ata përzemërsisht me ç’rast shënoi të hapur ekspozitën.
Me hapjen e kësaj ekspozite, Galeria Kombëtare e Kosovës fillon me sukses planprogramin e vitit 2022.
Ndërkaq, ekspozita “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” do të qëndrojë e hapur për një muaj. / KultPlus.com