Presidentja Osmani viziton ekspozitën “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”: Aty shihet dhimbja e pafund dhe e vazhdueshme e familjarëve

21 Dhjetor, 2021 - 4:08 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka vizituar ekspozitën  “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, ekspozitë që sipas presidentes, do të duhej të vizitohet nga të gjithë qytetarët, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plot përshtypjet e presidentes Osmani, mbi këtë ekspozitë.

Sot vizitova ekspozitën me titull “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe të realizuar nga artisti Driton Selmani me kuratoren Blerta Hoçia. Në orët e ekspozitës që masin kohën, sheh ditët, orët, minutat e sekondat që nuk kanë të mbaruar në pritje të një përgjigjeje, në pritje të zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit. Aty shihet dhimbja e pafund dhe e vazhdueshme e familjarëve por edhe e një shteti të tërë, sepse liria jonë asnjëherë nuk do të jetë e plotë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Dhembja për 1622 personat e zhdukur me dhunë është e vazhdueshme dhe bëhet edhe më e rëndë, duke e ditur faktin se edhe më tej mbahen peng në Serbi, pikërisht në vendin që është fajtor për zhdukjen e tyre të dhunshme. Nëpërmjet ekspozitës, fati i të zhdukurve tanë tregohet në mënyrë autentike para publikut, duke trokitur në ndërgjegjen e secilit, ngase ata janë mungesë jo vetëm për familjet, por edhe për shtetin tonë. Gurët e kësaj ekspozite janë secili nga të zhdukurit, janë përditshmëria e dhimbshme e secilës familje që pret epilogun e ankthit mbi 22 vjeçar.

Shpresoj që kjo ekspozitë të vizitohet nga të gjithë qytetarët tanë dhe poashtu ta bëjë rrugëtimin e saj nëpër vende të ndryshme, për t`i dëshmuar botës tragjedinë tonë, dhimbjen tonë, të vërtetën tonë! Ruajtja e kujtesës historike është ndër dëshmitë më të fuqishme për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme