13 Shkurt, 2018 - 9:14 am
Galeria Kombëtare e Portreteve në Washington ka prezantuar portretet zyrtare të ish-Presidentit Barak Obama dhe bashkëshortes së tij, Michelle Obama.
Obama zgjodhi si autor të portretit të tij piktorin e diplomuar në Universitetin Yale, Kehinde Wiley, i njohur për portretet e gjalla të afrikano-amerikanëve.
“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur. Unë dhe Michelle jemi shumë mirënjohës për miqtë dhe të afërmit që kemi, si dhe për personelin që ka punuar me mua në Shtëpinë e Bardhë dhe që kanë zgjedhur të na nderojnë në këtë formë e të na ofrojnë mundësinë të jemi në prani të këtij arti të mrekullueshëm”, iu drejtua presidenti të pranishmëve në muze.
Në portret ish-Presidenti Obama është i ulur në karrige mes gjetheve. Autori thotë se përdori elementë botanikë për të simbolizuar rrugëtimin e tij. Ai ka përdorur lule nga shteti Ilinoi dhe nga Kenia, për të pasqyruar rrënjët e ish-presidentit.
Kehinde Wiley është piktori i parë afrikano-amerikan që zgjidhet për të pikturuar një portret zyrtar presidencial.
Michelle Obama zgjodhi artisten nga Baltimora, Amy Sherald, e njohur për punime që stilistikisht përqendrohen tek format dhe kontrastet e ngjyrave, si dhe të frymëzuara nga temat e drejtësisë sociale. Në portret ajo është e veshur me një fustan me forma gjeometrike, e ulur para një sfondi një-ngjyrësh.
“Po mendoj tani për ato vajza të vogla afrikano-amerikane, që gjatë viteve do të vijnë këtu dhe do të shohin dikë që ngjet me ta në muret e këtij institucioni të madh amerikan”, tha Obama, shkruan VoA./ KultPlus.com