27 Shtator, 2019 - 2:30 pm
Bujar Meholli
Është prezantuar ekspozita shitëse “Rruza t’zemrës” e organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitete – Artpolis, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë mund të shohësh gjithfarë aksesorë të punuar me përkushtim e dashuri të madhe nga viktimat e mundshme të trafikimit, nën mentorimin e artistes Njomëza Luci.
Në një ambient të këndshëm tek Menza “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, u hap zyrtarisht ekspozita e cila shpalosi çanta, qafore, vathë e aksesorë të tjerë nga ku po fitonin interesimin e te pranishmëve.
Venera Ismaili nga ArtPolis, në një prononcim për medie u shpreh e lumtur për organizimin derisa inkurajoi njerëzit që të vijnë, ta shijojnë ekspozitën dhe t’u dalin në ndihmë këtyre grave.
Nën moton “Ejani dhe merrni pak dashuri me vete” kjo ekspozitë u mirëpritë shumë mirë nga të pranishmit
Gjatë kësaj ekspozite të pranishmit kishin mundësi të shoqërohen, derisa pinin e ushqeheshin.
Të gjitha fondet që grumbullohen nga shitja e këtyre aksesorëve dhe produkteve të punës së dorës do të shkojnë te krijueset e tyre, pra te gratë që i kanë punuar. Andaj, shkoni dhe shijojeni këtë ekspozitë interesante në ambientin e Menzës “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. /KultPlus.com