21 Tetor, 2018 - 10:17 pm
Në fillim të nëntorit merret vendimi përfundimtar për qytetit e radhës që do të jetë nikoqir i Bienales së Artit Manifesta në vitin 2022. Prishtina është përzgjedhur si kandidati më i përshtatshëm në mesin e të gjithë kandidatëve tjerë për këtë ngjarje, andaj drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka njoftuar se tashmë kanë zotuar përmes buxhetit dhe një letre nga kryetari i Komunës një pjesë të investimeve për këtë organizim, përcjellë KultPlus.
Por, nga juria e Manifestas kërkohet garanci e shkruar se Prishtina mund të mbulojmë të paktën 50% të shumës së nevojshme për organizmin e saj të suksesshëm.
Për të arritur këtë siguri, Rugova ka kërkuar bashkëpunim ndërinstituciona.
“Kemi bërë kërkesë te Ministria e Kulturës, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Punëve të Jashtme dhe te partnerë të tjerë për ta mbështetur Prishtinën në këtë sipërmarrje të rëndësishme, por na duhet edhe pak angazhim për garancionin final. Andaj ju bëjmë ftesë publike këtyre institucioneve për ta marrë parasysh këtë bashkëpunim të gjerë, prej të cilit kish me përfitu jo vetëm kultura, por shoqëria në tërësi.
Manifesta nënkupton të paktën 4 milion investime në burime njerëzore, rrjetëzim ndërkombëtar, adaptim dhe ndërtim të hapësirave për art, kulturë dhe urbanizëm. Manifesta është projekt sa artistik aq edhe urbanistik e zhvillues. Sipas disa llogaritjeve diku 200,000 vizitorë do ta vizitonin Prishtinën, dhe rreth 20 milionë euro të hyra mund të vijnë nga ky proces.
Në vitin 2020 Manifesta organizohet në Marseille të Francës. Kurse tash jemi shumë afër që kjo ngjarje në vitin 2022 të vijë edhe në kryeqytetin tonë.
T’i lëmë anash dallimet partiake, dhe ta vendosim Prishtinën në vëmendje të artit ndër”, ka shkruar Yll Rugova në Facebook. /KultPlus.com