Projekti 100-ditor i tablosë gjigante të Agron Hotit

12 Qershor, 2024 - 2:44 pm

“The Blue heART of Europe” titullohet iniciativa e pabesueshme që bën bashkë natyrën, artin dhe sportin dhe që do të mbajë firmën e Agron Hotit. Projekti i tij ambicioz, në përmasat e një rekordi Guiness, përfshin një telajo gjigante prej 7600 m². Artisti ka në plan të realizojë tablonë më të madhe të krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Hoti do të pikturojë për rreth 3 muaj në çadrën e vendosur në krah të Sheshit “Italia”.

Penelatat e tij do të sjellin degëzimet e lumit të vetëm të egër të Evropës, Vjosës. Këto degëzime qëndrojnë të paprekura në vepër, ashtu si lumi Vjosa që rrjedh i egër në shtratin e tij natyror. Kjo tablo do të bëjë bashkë një sërë personalitetesh të artit, sportit, historisë, medias, politikës dhe jetës sociale në vend. Këta personazhe do të kenë mundësinë që së bashku me artistin të hedhin ngjyrat dhe firmat e tyre në telajo duke u bërë pjesë të kësaj krijimtarie artistike.

Vepra do të ndahet në rreth 2500 tablo dhe secila prej tyre do të jetë unike dhe do të shoqërohet nga certifikata e autenticitetit. Entuziastët do të kenë mundësinë të bëjnë të tyren pjesën e preferuar nga tabloja, përmes një eventi që do të synojë në shitjen paraprake të veprës. Pjesët e tjera do të kenë gjithashtu mundësi të blihen nga artdashës të cilët duan të dekorojnë hapësirat e tyre me copëzat e kësaj tabloje.

I gjithë procesi do të kryhet në kohë reale në një hapësirë të kushtuar enkas për përgatitjen e kësaj vepre gjigante arti. Kureshtarët, entuziastët, por edhe kalimtarë të rastit do të kenë mundësinë të dokumentojnë nga afër këtë punë kolosale dhe realizimin e saj. E gjithë hapësira e zhvillimit të aktivitetit, i cili do të zgjasë 100 ditë, do të marrë trajtën e një studioje gjigante./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme