Protestë për logon e re të FFK-së

18 Qershor, 2018 - 1:10 pm

Shumë pakënaqësi e reagime ka shkaktuar Federata e Futbollit e Kosovës të shtunën, kur zbuloi logon e re të FFK-së. Dhe për këtë të martën, nga ora 12:00, ndërtesa e FFK-së pritet të pushtohet nga protestues të shumtë, për ta ndryshuar atë.

Një top i futbollit, sikur i vizatuar me laps kimik ngjyrë të kaltër, gjashtë yje dhe mbishkrimi, Federata e futbollit e Kosovës, është logoja e re e FFK-së, e zgjedhur nga një komision për përzgjedhjen e logos.

Federata e Futbollit të Kosovës prezantoi ditë më parë fanellat e reja të Kombëtares ku sponsor i ri do të jetë kompania zvicerane “Fourteen”.

Bashkë me fanellat, u prezantua edhe logoja e re e FFK-së që ka shkaktuar shumë pakënaqësi e reagime te adhuruesit e futbollit që kanë reaguar në një apo tjetër mënyrë në rrjetet sociale.

Anëtari i grupit Prishtina Designers, Arben Lezi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se do të ketë protestë me 19 qershor para zyrave të FFK-së, në shenj pakënaqësie për logon e re të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Reagime ka pasur nga më të ndryshmet, teksa artisti, Rrezeart Galica, ka reaguar në FB: “Kjo logo duhet të anulohet, mos formoni komisione matrapazësh sepse rezultati është si më poshtë”, duke publikuar edhe logon e re të FFK-së.

Pas logos së re, i pakënaqur është edhe kryetari i tifozerisë së Kosovës “Dardanët”, Lulzim Berisha, i cili ka shkruar në Facebook se do ta pranojë me shumë kënaqësi vetëm nëse është zgjedhur nga i ndjeri, Fadil Vokrri.

“Duhet me dal me komunikatë FFK dhe me tregu autorin, domethënien e loges mesazhin, nëse kjo është vendos sa ka qenë gjallë legjenda, nëse dëshmohet që ai e ka zgjedh, unë e pranoj me përkulje si logo të pa vdekshme të legjendës”, ka shkruar ai.

Ndërkohë në rrjetet sociale është përhapur një peticion online, përmes të cilit synohet ndryshimi i logos së re.

Peticionin e ka iniciuar Adrian Berisha, asamblisti në Komunën e Prishtinës, nga radhët e PSD-së.

“Ky është peticioni te cilin sapo e krijova kundër logos se re te FFK-se. Ne si qytetar te Kosovës, nuk duhet të lejojmë që një logo e tille të simbolizojë një institucion si Federata e Futbollit të Kosovës”, ka shkruar Berisha në Facebook.

E një anketë në “Twitter” për logon e FFK-së, e ka bërë edhe faqja që promovon futbollin e Kosovës, “Kosovan Football”.

Në pyetjen se a e pëlqeni apo jo logon e re të FFK-së, 70 përqind e të anketuarve e kanë vlerësuar negativisht, raporton Gazeta Express.

Më poshtë keni disa nga logot që pretendohen se i hodhi poshtë FFK-ja:

Të ngjajshme