Provokon Lulaj: Ekspozitat të kenë në sfond kanabis

9 Nëntor, 2017 - 9:21 pm

“Sot të gjitha ekspozitat në Shqipëri duhet të kenë një sfond të zbukuruar me gjethe kanabisi”. Armando Lulaj një emër i njohur në artin bashkëkohor ka zgjedhur të provokojë në këtë mënyrë lidhur me situatën e fundit në vend. Duke e parë artin si një formë e cila nuk duhet të rrijë indiferente ndaj zhvillimeve të vendit, Lulaj përcjell përmes emai-lit këtë fjali të shkruar në një sfond të zi, emergjent. Lulaj ka prezantuar Shqipërinë në edicionin e 56-të të Bienales së Venecias dhe gjithnjë ka ngritur pikëpyetje përmes veprave të realizuara, duke e parë krijimin si një formë përmes së cilës mund të analizojë realitetin. Në korrik të vitit që shkoi artisti ishte pjesë e ekspozitës “Balena ishte nëndetëse” që u hap në Ludwing Musseum në Budapest. Në një T-shirt të bardhë, Lulaj kishte stampuar një foto nudo të kryeministrit, foto e përdorur politikisht kundër tij në fushata elektorale, sipër së cilës ishte shkruar shprehja “Revolucioni”.

“Në bërthamën e punës sime ekziston një besim i plotë në drejtësi. Ky besim në ditët e sotme po rrallohet çdo ditë e më shumë, e teorikisht mund të them se komunizmi (ideja) ishte e vetmja politikë e shpresës. Demokracia shpërndan një racionalizëm të ndërtuar mbi faktin se shoqëria mund të mbijetojë vetëm nëse nëpër të përfshihen humbje jetësh”, shprehej Lulaj në intervistën e fundit dhënë për gazetën “Shqip”, teksa në skenën e Teatrit Kombëtar, lexonte kabllogramet e “Wikileaks”, për Shqipërinë, të nisura nga ambasada amerikane në Tiranë në drejtim të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shoqëruar nën tingujt e pianos së artistit gjerman, John Tilbury.

“Në punët e mia kam treguar në shumicën e rasteve të njëjtën linjë logjike të pushtetit, të mekanizmit të tij, që përshkon tejpërtej të tashmen dhe të shkuarën, sado të ndryshme të shfaqen ato në pamje të parë. Kurrë nuk kam idealizuar të shkuarën në kurriz të së tashmes, por bindshëm kam gërmuar thellë në besimin ku e shkuara dhe e tashmja përbëjnë plotësisht botë të ndryshme. Zhargoni i përgjithshëm i përdorur për të përshkruar të shkuarën është përgjithësisht i djallëzuar, ndërsa ai i së tashmes, mund të perifrazohet si një eufemizëm i thjeshtë. FIEND, për shkak të përputhjes së materialeve, më krijoi mundësinë të punoja e të përdorja të njëjtën gjuhë për të tashmen dhe të shkuarën, ose më saktë të përdorja së bashku me John Tilbury-n, shumëllojshmëri gjuhësh, që si rrjedhojë shprehnin vetëm të vërtetat përkatëse për secilën periudhë kohore.

Duke vepruar në këtë mënyrë, ngjarjet e fillimit të viteve 90′ (si edhe të tjera ngjarje thelbësore ndryshimesh politike), u shndërruan për rrjedhojë në ndodhi më me pak rëndësi, ndërkohë që sëmundjet politike që ndërtuan monologun nga fillimi deri në fund, u shpalosën në një tjetër tregim pak më tepër historik. Fabula që më interesoi nuk ka kufizim ndërmjet të shkuarës dhe së tashmes, por flet për ngjarjet e kafshërisë politike: karakteristikë kjo e situatës aktuale si në Shqipëri edhe nëpër vende të tjera simotra”, shprehej Lulaj./gazeta shqip

Të ngjajshme