14 Mars, 2018 - 10:51 pm
Më shumë se 350 fotografi të pa publikuara më parë të grupit The Beatles do të dalin në ankand në Liverpool.
Më 24 mars në Liverpool do të hapet ankandi me 413 fotografi të grupit britanik The Beatles, ku 350 prej këtyre fotografive nuk janë parë më përpara. Siç raporton Shtëpia e Ankandi Omega, fotografitë janë realizuar nga fotografi Mike Mitchell në vitin 1964.
Anëtarët e grupit; John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr kanë dhënë koncertin e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 11 shkurt të vitit 1964 në Washington. Po në atë kohë fotografi Mitchell i cili ishte 18-të vjeçar arriti që të merrte akreditimin që të fotografonte nga afër anëtarët e grupit. Disa muaj më vonë, më 13 shtator, ai përcolli koncertin e tyre në Baltimore (Marylan, USA), nga ku u realizuan 413 fotografitë të cilat do të jenë në shitje.
“Ata kanë sjellë gjëra të reja në kontinentin tonë dhe ne dëshironim që të dinim më shumë se kush ishin ata. Kisha shkuar me idenë që të krijoja një portret të këngëtarëve dhe jo me idenë që të përcjellja koncertin”, është shprehur Mitchell në një video në Youtube ku jep më shumë detaje mbi fotografitë e tij.
Për dekada negativët e këtyre fotografive kanë mbetur nëpër kutia derisa avancimet në teknologji kanë mundësuar që këta negativë të fotografive të zhvillohen. Fotografitë janë bërë nën dritën e ambientit pasi që aparati i Mitchell nuk kishte pasur dritë të tij. Mirëpo tani pikërisht drita e cila ka ndikuar në mënyrën e paraqitjes së fotografive i ka bërë të veçanta ato.
Në vitin 2011,në New York, 46 fotografi të grupit Beatles ishin dalë në ankand dhe ishin shitur për 293 mijë e 878 euro. / KulPlus.com