30 Janar, 2019 - 2:50 pm
Ekspozita “Bashkëjetesa Natyrore dhe Kulturore” e cila ditë më parë ishte hapur në hapësirën e Parlamentit Evropian, në Strasburg do të hapet edhe në Ambasadën e Kosovës në Bern, shkruan KultPlus.
Ekspozita po ashtu ishte hapur edhe në Milano. Ekzemplarët e ekspozuar në këtë ekspozitë arti, përfshijnë punime të përzgjedhura nga punëtoria e Muzeut Kombëtar të Republikës së Kosovës, të cilat më pastaj, janë sjell nga Fondacioni Kodra, në kuadër të kësaj ekspozite.
Fotografitë dhe pikturat e ekspozuara janë të vendosura rreth pikturës së famshme të Ibrahim Kodrës: Piktura për Qytetin e Ri, një vepër e artistit tonë të madh, e cila reflekton bashkëjetesën natyrore dhe kulturore në Kosovë. Interesim të veçantë paraqesin fotografitë dhe vizatimet e fëmijëve, të cilat shprehin botën e tyre shpirtërore për natyrën dhe jetesën e përbashkët në Kosovë – shtetin më të ri në botë.
Ambasada e Kosovës në Bernë, ekspozitën e hapë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë
me “Swiss Foundation Ibrahim Kodra” në Lugano, ekspozitë e përgatitur me
ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mjedisit dhe
Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Kulturës, Ambasadës së Zvicrës në
Prishtinë dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Ekspozita do të hapet më 1 shkurt në ora 18:00 dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 8 shkurt 2019./ KultPlus.com