7 Mars, 2018 - 12:45 pm
Thomas Hirschhorn solli një ekspozitë më të veçantë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ekspozita si e tillë mblodhi përplot vizitorë që ishin të interesuar në çdo pamje që ishte varur në muret e Galerisë, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Në hyrje të Galerisë, aty ku ishte ekspozuar puna e tij, qëndronin shumë fotografi nën xham, të cilat krahas tyre kishin edh përshkrimin dhe sqarimin e autorit. Krejt kjo bënte që të njoftoheshe me punën dhe pikëpamjet e tij për “De-piksellimin”. Ai është kundër piksellimit- si formë e cila motivohet nga autoriteti. Arsye e kësaj është se “Sot më shumë se kurrë kam nevojë ta shoh çdo gjë me sytë e mi në botën tonë të vetme dhe askush nuk mund të më tregoj se çka mund të shohin apo të mos shohin sytë e mi”, shkruhet në njërën nga fotografitë.
Shumica e fotografive në katin e parë të Galerisë, përmbanin fytyra të gjakosura, trupa të shtrirë në rrugë, trupa fëmijësh e burrash. Shpesh këto imazhe i shohim të censuruara por artisti Thomas Hirschhorn e ka bërë të kundërtën e saj, ai e sjellë tmerrin e fytyrave të tyre të plotë, ndërsa mjegullon prapaskenën. Tmerri është fokusi i tij i qartë. Ai nuk e pranon pikësellimin e bërë në emër të tij për ta “mbrojtur” andaj shkruan “ai që pikësellon është në fakt duke e mbrojtur veten përderisa pretendon se po më mbron mua”, thotë Thomas Hirschhorn.
Arsyeja përse ai bën kolazhe dhe është i interesuar në pikëllim është për shkak të estetikës së tij të fuqishme dhe se fuqia estetike vjen në mes pjesës së pikëselluar dhe asaj të papikëselluar dhe nga logjika jo sistematike e pikësellimit. Ai thotë se pikësillimi në abstraksionin e tij arrin ta krijoi një formë të re. Qëllimi është të kuptohet se si një fotografi ekzistuese e publikuar mund të bëhet abstraksion.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Bunjaku- Agani në ceremoninë hyrëse u shprehi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve ndërsa tha se ndihen të nderuar që në GKK kanë artistin e njohur zviceran. Ajo këtë ekspozitë e cilësoi si historike.
“Iniciativa për këtë ekspozitë që mund ta klasifikoi si historike ka ardhur nga ideja për bashkëpunim me Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë. Iniciativa e përbashkët solli rezultat që ta ftojmë këtë artisti në muajin mars. Ai pranoi që të vij menjëherë në Kosovë, në një afat të shkurtër kohor, gjë qëështë e pazakontë për një artist me renome siç është ai. Si për ata edhe për ne Kosova është një vend interesant, vendi i ri me një histori plot dhunë dhe realitet të modifikuar”, u shpreh Bunjaku- Agani ndërsa shtoi se ideja që kjo ekspozitë është e hapur në muajin mars është sepse muaji jonë pasqyrohet në veprat e tij, muaji që simbolizon muajin e sakrificës.
Xhevat Bajrami nga Ministria e Kulturës, në emër të ministrit Kujtim Gashi, falënderoi artistin e njohur zviceran që ka ardhur në Kosovë në muajin e shenjt të Kosovës, në muajin kur Kosova feston Epopenë e UÇK-së ndërsa shtoi se punimet e tij promovojnë vlera artistike duke e shtuar krenarinë që këtu ardhur një artist i njohur zviceran.
Thomas Hirschhorn ishte ai që e mori fjalën i fundit ndërsa tha se ishte hera e parë që ai ka ardhur në Kosovë, ndërsa e cilëson si një vend të vogël por shumë të bukur. Ai e falënderoi Arta Aganin, kuratorin dhe të gjithë stafin e Galerisë që në mënyrë shumë efikase e bën të mundur këtë ekspozitë.
“Puna ime këtu përfshin punën që unë e kam bërë gjatë dy viteve të fundit. Më pëlqen të bëjë kolazhe sepse më pëlqen t’i marr dy elemente ekzistuese në krijimin e një punë të re. Shpeshherë bëj kolazhe sepse kolazhi asnjëherë nuk është tamam brenda kufijve, po ashtu bëj kolazhe sepse çdo njëri nga ne ka bërë një herë në jetë kolazhe”, u shpreh artisti Hirschhorn, ndërsa tha se ai e sheh piksëllimin si një mjet me të cilin mund ta konfrontoj botën dhe realitetit të tij.
Tashmë dyert e Galerisë Kombëtare të Kosovës do të qëndrojnë të hapura për të gjithë ata që duan të njoftohen me punën e artistit zviceran Thomas Hirschhorn./ KultPlus.com