28 Gusht, 2017 - 1:28 pm
Sytë e saj dallojnë lehtë ndrojtjen, në portretin ku piktori është kujdesur të mos humb asgjë ndjesi. Një grua e plotë me jetën që duket që I lexohet në fytyrë. Kjo është vetëm një prej tablove të Qamil Grezdës, një prej piktorëve të njohur para viteve 90-të. Artisti do të rikthehet në Galerinë Kombëtare të Arteve më 31 Gusht ora 19:00, me ekspozitën “Qamil Grezda, grabitqari i bukurisë së natyrës… 1917-1992”. Ekspozita e cila hapet në sallën e përkohshme të ekspozitave është një dedikim me rastin e 100 vjetorit të lindjes së artistit dhe përmbyll kalendarin e aktiviteteve në këtë kuadër.
E kuruar nga Oltsen Gripshi, ekspozita “Qamil Grezda, grabitqari i bukurisë së natyrës… 1917-1992”, do të prezantojë një koleksion të pasur prej 55 veprash. Midis tyre janë tablo në teknikën e vajit, 9 nga të cilat pjesë e fondit të GKA, vepra në teknikën e pastelit dhe vizatime në letër, të cilat zënë një pjesë të rëndësishme në ekspozitë. Përmes retrospektivës, por edhe veprave të paekspozuara më parë, vizitorët do të mund të njohin disa aspekte të jetës dhe rrugëtimit artistik të Qamil Grezdës.
Krahas artit të Grezdës, në sallë do të shfaqen edhe objekte origjinale të vetë artistit si: xhaketa, apo kapelet të cilat mbante kur pikturonte në natyrë, kavaleti, dy tavalocat, valixhja me penelat e bojrat, fotografi të piktorit gjatë periudhës së studimeve, diploma e Akademisë së Arteve të Bukura në Romë, letërkëmbimet mes tij dhe artistit të madh Ibrahim Kodra, video e vizitës së Ibrahim Kodrës në shtëpinë e Qamil Grezdës pas vdekjes së këtij të fundit, blloku i vizatimeve dhe skicave, qysteku në ar të cilin e mbante me vete kudo ku shkonte, ditari vetjak dhe maska në allçi e piktorit fill pas vdekjes së tij. Krijmatria artistike e piktorit Qamil Grezda karakterizohet në tërësinë e saj në leximin horizontal pikërisht nga ndikimet historike të pikturës së peizazhit italian të fund shekullit të XIX-të. Ndikime të cilat artisti i huazoi falë studimeve që kreu në akademitë e arteve të bukura në Firence dhe “San Luca” të Romës, në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Për piktorin Grezda ndikimi nga piktura italiane dhe mjeshtrat e saj ishte i pashmangshëm dhe kjo ndjehet si në modelimin akademik të gjinisë së portretit, figurës, si dhe makiaioliste të peizazhit në veçanti, që më pas do të shkruante emrin e tij me gërma të arta në plejadën e artistëve shqiptar, shkruan GSH.
“Një frymë, e cila në rrafshin historik gjen shumë elementë të përbashkët me pikturën e peizazhit napoletan të viteve 1800 të shekullit XIX-të. Kur përmend këtë periudhë të pikturës napoletane dhe në tërësi të asaj italiane, kam në mendje Scuola di Posillipo[it] (Shkolla e Pozilipos). Në të vërtetë stili piktorik i Qamil Grezdës gërsheton tri mendësi, tri fryma artistike stilistikore atë të Macchiaioli[it] (Makiaiolëve), Scuola di Posillipo (Shkollës së Pozilipos) dhe Divisionismo[it] për t’u prezantuar më pas me publikun përmes një personaliteti të tij krejt original”, shprehet Gripshi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator 2017./ KultPlus.com