6 Prill, 2025 - 3:03 pm
Muzeu Gjon Mili në Korçë është nga më të vizituarit, kryesisht nga turistë elitarë të huaj që njohin jo vetëm artin e fotografisë por mbi të gjitha fotografin me famë botërore.
Edhe vitin e kaluar por dhe në këtë fillim vit, turistët që vizitojnë muzeun e fotografit me një stil krejt të veçantë janë të shumtë nga vende të ndryshme të botës.
Bashkëshortët kanadezë vizitojnë për herë të parë qytetin më të madh në juglindje të vendit, ndërsa nuk kishin si mos të vizitonin muzeun Gjon Mili.
“Unë jam vetë fotograf, e kisha parë më parë punimet e Gjon Milit por nuk e dija që ishte shqiptar dhe nga Korça. Këtu muzeu është mbresëlënës, sidomos fotografitë me lëvizjen e dritës, kjo është fotografia në thelb. Qyteti i Korçës duket shumë mirë, ne kemi vetëm dy ditë këtu dhe mezi presim të vizitojmë e vende të tjera në qytet”, tha turisti kanadez, Jeff Denhartam.
“Vijmë nga Kanadaja për herë të parë në Korçë. Muzeu po me pëlqen shumë, ka shumë fotografi që flasin për historinë botërore dhe ju jeni me fat që ky fotograf është nga vendi juaj. Gjon Mili njihet në botë por duhet të njihet edhe si shqiptar. Në Shqipëri është hera e parë që vijmë dhe gjithçka po me duket fantastike. Patjetër që do rikthehemi”, tha bashkëshortja e Jeff, Christine Denhartam.
Përgjegjësi i muzeut Kristi Ktona tha se turistët habiten me faktin se fotografi është nga Korça.
“Ka pasur turistë nga Meksika, Peruja, Kolumbia. Është një fotograf që pothuajse të gjithë e kanë parë, por nuk e dinë që është shqiptar dhe kur vinë, surprizohen si një vend kaq i vogël ka prodhuar një njeri kaq të madh”, tha Ktona.
Në muzeun Gjon Mili në Korçë janë të ekspozuara 240 fotografi , të cilat përshkruajnë artistë, sportistë dhe figura të njohura shoqërore nga Roma deri në Hollywood./ euronews/ KultPlus.com