14 Maj, 2024 - 3:13 pm
Në Prishtinë, Prizren e Pejë vijnë tregimet e personave LGBTI në Kosovë nëpërmjet tri ekspozitave që do të hapen të njëjtën ditë e orë, për ta kuptuar nga afër realitetin e personave LGBTI, shkruan KultPlus.
CEL Kosova, në bashkëpunim me Dokufest dhe Anibar, këtë vit sjellin ekspozitën ‘Quein’ të fotografes Majlinda Hoxha.
Ekspozita shpalosë tregimet personale të personave LGBTI të cilët jetojnë në Kosovë. Majlinda Hoxha ka fotografuar individë të cilët përmes prizmit të aparatit tregojnë historinë e tyre dhe jetën e ditëpërditshme në Kosovë, në një vend ku nuk është e lehtë të jesh pjesë e këtij grupi shoqëror.
‘Quien’ është një bashkim i imazheve që përmbajnë fragmente nga jeta e individëve LGBTI në Kosovë. Mes një jete shpesh në fshehtësi dhe një dëshire për të dalë në pah, individët LGBTI vijnë përmes artit të Majlinda Hoxhës në një nismë e cila edhe njëherë e potencon rëndësinë e luftimit të homofobisë, transfobisë dhe bifobisë.
Ekspozita do të hapet më 17 maj prej orës 18:00 në të tria qytetet: në Prishtinë në Grand Hotel Prishtina – Kati 5, në Prizren në Destill, si dhe në Kinema ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë.
17 maji njëkohësisht shënon edhe Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë – IDAHoBiT. Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Kosovë, L’Agence française de développement (AFD) dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë./ KultPlus.com