25 Nëntor, 2019 - 12:37 pm
Banka Raiffeisen në Kosovë u rikthye për të përkrahur sërish artistët kosovarë, duke u mundësuar atyre ekspozimin e veprave të veta, ekspozita këto që do të zënë vend në qendrën tregtare Albi Mall në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ishte ekspozita e artistes Fitore Berisha, ajo e cila bëri edhe ri-hapjen e Raiffeisen Gallery, ku përmes artit të saj ajo kishte shfaqur emocionet që përçohen nga njerëzit që na rrethojnë.
Hapjen zyrtare të ekspozitës e bëri drejtori gjeneral i Bankës Raiffeisen, Zt. Robert Wright, i cili në fjalimin e tij u shpreh të jetë një adhurues i artit dhe artistëve kosovarë. ”Duke filluar nga viti 2016 kemi mbështetur shumë artistë kosovarë, gjithmonë më kanë mahnitur aftësitë e këtyre artistëve. Kemi menduar se ku do të ishte më mirë që t’i ekspozojmë këto vepra dhe erdhëm në përfundim që të ekspozohen në qendrën më të madhe tregtare, siç është Albi Mall, në mënyrë që arti i këtyre artistëve të shihet nga shumë njerëz. Gjatë vitit tjetër, punën e tyre në këtë Galeri, do ta ekspozojnë gjithsej 12 artistë. Po ashtu jemi në proces të blerjes së këtyre veprave për t’i vendosur më pas në zyrën tonë qendrore në Prishtinë”, u shpreh ai.
Raiffeisen Gallery ka për qëllim të jetë sa më përkrahës në punën e artistëve tanë, duke u mundësuar ekspozimin dhe shitjen e veprave të tyre.
”Arsyeja pse e përkrahim ne këtë mini Galeri është për të iu dhënë hapësirë artistëve të rinj për ekspozimin e pikturave të tyre ndërsa pse e kemi përzgjedh pikërisht Albi Mall ka qenë meqë është një vend shumë i frekuentuar, deklaroi Vlora Kasumi në emër të Bankës Raiffaisen për KultPlus.
E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, e cila tregoi se e pëlqen shumë artin e Fitores, duke e konsideruar si një art me stil të jashtëzakonshëm e të guximshëm.
”Më vjen shumë mirë që Banka Raiffeisen merret me të tilla iniciativa, tashmë me një hapësirë edhe më të gjerë, në një vend ku ka më shumë vizitorë dhe njerëzit mund të jenë në kontakt të drejtpërdrejt me artin. Ndërsa ekspozita e Fitore Berishës është shumë e qëlluar për hapjen e Galerisë dhe më vjen shumë mirë që Banka Raiffeisen e ka përkrahur artin e saj”, tha ajo ndër të tjerash për KultPlus.
Robert Wright, drejtori ekzekutiv i Raiffeisen Bank, u shpreh. ”Është hera e parë që unë po e shoh artin e Fitores dhe më duhet të them që më ka lënë shumë përshtypje, gëzohem që e ka sjell artin e saj edhe në Kosovë. Aftësitë e artistëve kosovarë janë të mahnitshme, këtë gjë e kam hetuar edhe në Festivalin e Filmit të cilin ne e mbështesim”, potencoi ai për KultPlus.
Fitore Berisha, për KultPlus u shpreh shumë e kënaqur me iniciativën dhe mundësinë që Banka Raiffaisen u ka dhënë artistëve kosovarë. Ajo po ashtu tregoi edhe për realizimin e veprave të saj dhe mbi atë se çfarë e inspiron artin e saj. ”Disa punime janë të realizuara vitin e kaluar, mirëpo ajo që unë shprehi përmes këtyre fytyrave në artin tim, është se të gjithë jemi shumë të ndjeshëm dhe unë jam shumë e lidhur me njerëzit, ata më inspirojnë mua. Unë e gjej më të mirën tek ata dhe shpesh bashkë ndjejë dhimbjen e tyre. Për mua arti është një lloj terapie sepse neve si artistë na përmbush vetëm arti. Në përgjithësi, më pëlqen shumë ideja që Banka Raiffeisen u ka dhënë mundësi artistëve me ekspozita dhe blerjen e veprave”, potencoi ajo për KultPlus.
Fitore Berisha ka lindur në vitin 1971 në Prishtinë. Studioi në Akademinë e Arteve – dega pikturë. Në vitin 2003 e themeloi organizatën Mural Art Group (MAG) ku me ekipin e saj krijuan disa murale në qendër, po ashtu projekte tjera të financuara. Qëllimi i organizatës ka qenë të punojë me artistë të cilët janë të inspiruar ta zbukurojnë qytetin e Prishtinës dhe të inspirojnë qytetet tjera. / KultPlus.com