30 Shtator, 2019 - 9:00 pm
Një artist i madh njëherë pat thënë se arti është një gënjeshtër që na ndihmon për të zbuluar të vërtetën. Të vërtetat tona dallojnë shumë nga të vërtetat e të tjerëve, por në fund të ditës ato mbesin të vërteta personale, që zor kush i konteston apo i vë në dyshim.
“Realitete të Zgjeruara”, quhej ekspozita e artistes nga Gjermania, Monika Kropshofer. Monika, këtë ekspozitë po e hap për herë të parë në Kosovë, ku përveç Prishtinës do ta prezantojë edhe në qytete tjera të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ekspozita ishte e mbushur me dashamirës të artit, të cilët vazhdimisht shpreheshin të kënaqur me punën e artistes dhe shfaqnin adhurimin e tyre për secilën vepër të artit, që zinte vend në muret e ekspozitës
Në kompozimet e veprave të saj artistike, të cilat ishin një kombinim mes fotografisë dhe pikturës, vërehej saktësia dhe shperbërja që gërshetoheshin lehtazi në kompozimet e saj
Arkitektura dhe elementet që e përbëjnë atë – fasadat, dritaret, shkallët por edhe gjërat laike janë objekti dhe fusha estetike e eksperimentimit të artistes Monika Kropshofer.
Artistja për KultPlus, pohoi se kjo ishte hera e saj e parë në Kosovë dhe se Prishtinën e konsideron si një vend mjaft inspirues për artin e saj.
”Secilën ekspozitë e realizoj duke ia përshtatur vendit në të cilin kam për ta shfaqur, këto vepra arti i shkojnë Kosovës. Kjo ekspozitë do të mbetet vetëm në Kosovë”, potencoi artistja për KultPlus.
Artistja jo rastësisht kishtë zgjedhur ”Galerinë Qahili” si vend të përkohshëm për artin e saj, ajo tha se kuratores së saj dy vite më parë i kishte pëlqyer shumë si vend për ekspozimin e punës së artistes, ku kishin vendosur që ekspozitën e radhes ta realizonin aty.
Duke filluar nga sot, ekspozita do të jetë e hapur deri më 12 tetor të këtij vitit./KultPlus.com