2 Nëntor, 2020 - 2:58 pm
Medina Pasoma
Tri skulpturat e mbështjella me zingjirë bardh e zi të ekspozitës “Skulptura në hapësirë” nga artisti Eroll Murati bënë që qytetarë të shumtë të ndaleshin, fotografoheshin dhe pajtoheshin me mesazhin goditës që përçonin këto vepra arti, shkruan KultPlus.
Të ekspozuara në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit, skulpturat i falnin një pamje të freskët kësaj hapësire publike, duke i bërë të pranishmit të depërtonin në thellësinë e artit. Sytë e qytetarëve kalonin sa nga njëra sa te tjera skulpturë, duke e bërë që interesimi për t’i kuptuar ato të zgjohej edhe më shumë.
Tri pozicionet e ndryshme të skulpturave bashkë me veçantitë krijuese, bënë që të përçonin dromca të realitetit. Në intervistën për KultPlus, Murati tregoj se çdo detaj është i menduar dhe i qëllimshëm, në mënyrë që sa më thjeshtë të kuptohet mesazhi i ekspozitës që do të jetë e hapur deri më 25 nëntor.
Zingjiri i përdorur tregon ashpërsi, ndërkaq e zeza dhe e bardha vjen si një kombinim mes personaliteteve të ndryshme të njerëzve, duke e bërë që veprimet individuale të përfaqësojnë shoqërinë.
“Bardh e zi ka qenë e qëllimshme për shkak që me të zezën e kam paraqitur të errëtin, të keqin e të dobëtin dhe të bardhën e kam përdorur si zemërbardhësi, diçka shumë e mirë”, u shpreh Eroll Murati.
Përderisa qëllimi kryesor mbetet sjellja e skulpturave moderne dhe kreativitetit artistik në hapësira publike, në këndvështrimin e parë ai thekson se nëpërmjet kësaj ekspozite çdo qytetari iu ekspozohet realiteti i hidhur kosovar.
Skulptura e parë e Muratit përbëhet nga një person i vetëm, i cili gjendet në këmbë, me duar të mbështjella me zingjir të zinj, e që kjo tregon një izolim, ku përherë ekziston një tentativë që i miri të mbështjellët me diçka të keqe.
Ndërkaq, krijimi i dytë artistik e kalon rrafshin individual dhe del në pah ndërveprimi social dhe ndikimi i tij. Kësisoj, dy skulptura njerëzish tërësisht të zinj, e thënë figurativisht “të pushtuar nga e keqja” mbajnë në duar të tyre zingjir të cilët dërgojnë te një karrige, e që kjo mund të përkthehet si luftë për pushtet nga çdo hallkë shoqërore.
“Për luftën e karriges mund të shtyhet apo të luftoj dhe një nxënës, student, profesor, deputet dhe gjithkush tjetër”, shprehet artisti Murati.
Edhe skulptura e tretë është një bashkëveprim social mes dy individëve, veçse kësaj radhe nuk ka një ngjyrë të njëjtë që i mbulon të dyja. Një skulpturë që qëndron në këmbë dhe ka ngjyrë të zezë, shfaqet përballë skulpturës tjetër, e cila është e bardhë. Kjo vjen si një përpjekje e të keqit që t’ia marr edhe pak të mirë që i ka mbetur tjetrit dhe ta shndërroj sikur veten e tij.
“E treta është konsumimi i njeriut të mirë nga i keqi, duke u munduar t’ia merr edhe ata të bardhë që e ka”, shprehet Murati.
Përtej mesazhit të kësaj ekspozite, Murati mendon që shumica e krijimeve artistike të vendit shfaqen nëpër muze, hapësira të mbyllura e vende të tjera kulturore, ndërkaq nëpërmjet zgjedhjes së një hapësire publike, ai ka tentuar të sjell diçka të re edhe në këtë dimension.
Për sa i përket natyrës së ekspozitës “Skulptura në hapësirë”, ai thekson se njerëzit janë mësuar të shohin shfaqje të tilla artistike nëpër media dhe krijime të vendeve tjera, si të Evropës ashtu edhe në pjesët tjera të botës. Ndërkaq, ai ka zgjedhur vendin e tij për një sërë arsyesh.
“Unë desha ta bëj në vendin tim, si vendi i cili më ka bërë krenar dhe më ka frymëzuar. Ta dinë qytetarët se edhe ne kemi artistë shumë të mirë në Kosovë”, tha Murati.
Ndërkaq për relacionin art-hapësirë publike në vendin tonë, ai shprehet se ndjehet i kënaqur për shkak të shfrytëzimit të tyre që një kohë të gjatë.
“Kemi hapësira shumë të bukura që i përshtaten skulpturave moderne, për shembull sheshi “Skëndërbeu” është i madh dhe i mirë”, shprehet autori i ekspozitës “Skulptura në hapësirë”.
Tutje ai thekson se artistët një herë vëzhgojnë terrenin e duhur dhe pastaj vendosin se ku do t’i ekspozojnë veprat e tyre. Ekspozita “Skulptura në hapësirë” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, gjegjësisht Drejtoria e Kulturës./KultPlus.com