Reklamat e bizneseve private, në vend të grafiteve tek Rruga B

31 Janar, 2018 - 5:36 pm

Rruga B në Prishtinë mbetet ndër rrugët më artistike të kryeqytetit.

Madje, disa grafite e murale e zbukurojnë këtë pjesë të kryeqytetit që nga maji i vitit të kaluar.
Artisti Alban Muja megjithatë ka postuar sot një fotografi në rrjetin social Facebook ku shihet se në vend të grafiteve, ato janë dëmtuar dhe janë vënë sipër tyre reklama të bizneseve private.

“Pronarët e këtyre bizneseve duhet të dënohen patjetër, për shkatërrimin e një vepre arti dhe shkatërrimin e pronës publike” ka shkruar Muja derisa ka kërkuar vëmendjen edhe të Shpend Ahmetit – të parit të Prishtinës dhe Yll Rugovës – drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Ky i dyti ka reaguar.

“Kemi të bëjmë me vandalizëm tipik, që do t’i dënojmë me të gjitha mekanizmat që i kemi. Ndërkohë, po shikoj menjëherë mundësitë që të gjejmë mënyra të rikthimit të grafiteve të mbuluara (nëse është e mundur, sepse gjasat janë që autorët nuk janë të Kosovës—dhe nëse skicat për ato punime janë të ruajtura). Nëse jo, në kuadër të thirrjes për art në hapësira publike, do të shohim trajtimin edhe të kësaj hapësire (si masë rehabilituese)” i ka reaguar Rugova artistit Muja.

Meeting of Styles Kosovo vitin e kaluar solli artistë edhe nga jashtë Kosova për të zbukuruar këtë pjesë të qytetit me grafite të cilat edhe sot i japim dukje më të mirë dhe të freskët kësaj pjese të frekuentuar të kryeqytetit. / KultPlus.com

Të ngjajshme