2 Tetor, 2023 - 10:48 am
Rekord historik e ka vlerësuar Muzeu i Ikonografisë “Onufri” shifrën prej 16122 vizitorësh të cilët kapërcyen pragun e këtij institucioni të rrallë, vetëm gjatë muajit shator.
“Suksesit spektakolar të turizmit në Shqipëri, e veçanërisht në Berat, i shohet edhe suksesi i muzeut tonë. Ky sukses bën bashkë shumë institucione në përkushtim dhe vizion. Falenderim dhe mirënjohje gjithë personelit të këtij muzeu për punën e jashtëzakonshme dhe me pasion në shërbim të publikut, vlerave kulturore dhe krenarisë kombëtare”, shkruhet në faqen online të Muzeut “Onufri”.
Shtatorin e një viti më parë, ky muze pati 8740 vizitorë.
Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Koleksioni i muzeut “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Fondi përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX. Ikonostasi i katedrales “Fjetja e Shën Mërisë” mban si datë vitin1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. / atsh / KultPlus.com