19 Korrik, 2021 - 6:58 pm
“Renzo Collura…” është libri i parë kushtuar një artisti të huaj që ka jetuar dhe pikturuar në Shqipëri. I ardhur nga Agrigendo e Sicilisë, piktori italian Collura i kaloi vitet shqiptare në mjediset e Shkodrës dhe të Durrësit.
U miqësua dhe bashkëpunoi me artistë të ndryshëm të asaj kohe. Pikturoi afreske në Kishën Franceskane. Krijoi portrete dhe peizazhe nga natyra. Realizoi edhe skenografi për shfaqje teatrore.
Dy vitet e fundit të qëndrimit në Shqipëri (1945-47) Renzo Collura organizoi dhe drejtoi kurse artistike, i ngarkuar nga Ministria e Kulturës Popullore në Tiranë. Ndërsa në verën e vitit 1947 u largua përgjithmonë duke u ndarë përfundimisht edhe nga krijimet me temë shqiptare.
Në Durrës la “studion e tij e vogël”, ndërsa nëpër shtëpitë shkodrane i mbetën disa nga portretet e porositura prej familjarëve vendas.
Me fillimin e “luftës së ftohtë” humbën të gjitha lidhjet me miqtë e tij në Shkodër dhe në Durrës. Ndërsa nga “pushteti” i artit të ri të realizmit socialist në Shqipëri tablotë e artistit italian mbetën në hije. Pikturat e tij nuk mund të ekspozoheshin apo të komentoheshin. Por, ndonëse nuk u shkrua thuajse asnjë fjalë për veprat e artit, Collura përmendej në bisedat familjare në Shkodër, sidomos në ato shtëpi ku ruheshin tablotë që kishte pikturuar. Vetë autori i këtij libri, Stefan Çapaliku na dëshmon se e ka ndeshur emrin e artistit që në moshë të vogël. Te shtëpia e axhës së tij në Shkodër ruhet një nga veprat më të bukura që Collura ka pikturuar në Shqipëri.
Por, për realizimin e librit kushtuar këtij artisti, që doli nga shtypi në janar të vitit 2021 (74 vjet pas largimit në Itali), pas një heshtjeje të gjatë rreth veprimtarisë artistike dhe në mungesë të ish miqve dhe bashkëkohësve, studiuesit dhe shkrimtarit Çapaliku i është dashur më shumë kohë për kërkime e hulumtime në Shkodër, në Durrës, si edhe në vendlindjen e artistit, në Itali.
Libri i sapo botuar na jep informacion të pasur, foto të panjohura, imazhe të veprave të artit, letra, kartolina e shënime të ndryshme, si dhe intervistën me artistin Athos Collura, djalin e Renzo-s. Të gjitha së bashku e krijojnë më të plotë atmosferën e kohës kur jetoi dhe pikturoi, na e sjellin më të qartë personalitetin e artistit. I njohur për gjetje të bukura artistike ne krijimet e tij letrare e skenike, edhe në këtë libër arti Çapaliku na sjell një strukturë të veçantë, me një formulim grafik tërheqës, të pasuruar me imazhe të bukura.
Autori e përshkruan se si ndikoi edhe tradita e kulturës shqiptare përmes krijimtarisë së artistëve të njohur të Shkodrës (Idromeno, Marubi, Martini, Rrota, Kolombi, Kabashi, Jani etj). Për Shkodrën mund të shtojmë gjithashtu se ka qenë prej shumë e shumë kohësh mjedisi më tërheqës për artistët e huaj. Aty Edward Lear krijoi disa nga akuarelet më të bukura kushtuar gruas me kostum shkodran, urës mbi Drin, kalasë Rozafa dhe shumë motive të tjera. Edith Durham para se të vizatonte dhe të pikturonte nëpër trojet shqiptare shkroi se Shkodra ka ngjyrë, ka art. Kur erdhi në Shkodër piktori i njohur i temave shqiptare P. Jovanovich vizatoi bashkë me Idromenon nëpër rrugët e qytetit. Po ashtu kanë jetuar dhe krijuar në kryeqendrën e veriut shqiptar edhe artistë të tjerë austriakë, anglezë, gjermanë, francezë, italianë, çekë, rusë, serbë, hungarezë, bullgarë dhe nga vende të tjera të botës. Në muajin prill të vitit 1918 në Shkodër u hap ekspozita e parë me vepra të tre autorëve të huaj (Horovitz, Pravotinski dhe Beszedes), që shënohet si e para veprimtari arti që është organizuar në Shqipëri. Midis gjithë këtyre veprimtarive të autorëve të huaj përfshihen edhe pikturimet e artistit italian, të parqitur me një stil tërheqës nga Stefan Çapaliku.
Libri “Renzo Collura, një artist i humbur në Shqipëri/un artista disperato in Albania” (i botuar në shqip dhe në italisht) e paraqet të plotë jetën dhe veprimtarinë e piktorit italian për lexuesit e të dy vendeve ku jetoi dhe krijoi./exlibris.al/ KultPlus.com