6 Qershor, 2024 - 1:12 pm
Ekspozita REPORTING HOUSE i e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery do të prezantohet më 10 qershor në ora 18:00 në ish-Shtëpinë e Mallrave ‘Gërmia’ në Prishtinë (ish zyra e Administratës Tatimore të Kosovës/ATK) në afërsi të përmendores së Skënderbeut dhe zyrës së BE-së, dhe është ekspozitë që prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.
Organizatorët kanë bërë të ditur se ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.
Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.
Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.
Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Flaka Surroi, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.
Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarëve ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.
Reporting House do të hapet në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Shtëpia e Gazetarëve synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.
Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.
Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999./ KultPlus.com