Restaurohen “bukuroshet” baroke të Petworthit

27 Gusht, 2019 - 5:15 pm

Në një studio thellë në Croydon, dy zonja me lidhje të mira në oborrin e mbretëreshës Anne, do të përjetojnë atë që nuk e kishin çuar asnjëherë në mend, këmbët e tyre do të restaurohen.

“The National Trust” ka zbuluar hollësi të një prej projekteve restauruese më të pazakonta e më ambicioze që janë ndërmarrë ndonjëherë, do të restaurohen këmbët e poshtme femërore të pikturave 200-vjeçare pasi një prej pronarëve të tyre kishte urdhëruar që të hiqeshin.

Dy ndenjëset janë Rachel Russelli, dukeshë e Devonshireit, dhe zonja Mary Somerset, dukeshë e Oromdes, që është elegjiakizuar nga poeti John Dryden: “fytyra e saj është parajsë, por e gardhuar nga mëkati, se Zoti në secilin sy i ka vënë engjëj”.

Ato janë pikturuar nga Michael Dahli dhe janë nga një set prej tetë portretesh të mbikëqyrura për Dhomën e Bukurisë në Shtëpinë e Petworthit, një pallat barok në West Sussex, shkruan sot Koha Ditore.

“Bukuroshet e Petworthit” varen aty të patrazuara për më shumë se një shekull nga vitet 1820, kur pronari i shtëpisë, i treti kont i Egremontëve, vendosi se atij i duhej më shumë hapësirë në mur për veprat e reja që kremtonin Betejën e Waterloosë. Gjashtë prej portreteve duhej të bëheshin të gjatë tre çerekë, dhe ai kishte thënë: “Unë dua t’i këpus këmbët e tyre. Nuk më duhen të poshtmet e tyre”.

Këmbët e tyre ishin prerë me kujdes dhe pikturat ishin rivënë, por kuratorët e “National Trust” më 1995 kishin zbuluar diçka të mahnitshme. Këmbët në të vërtetë ishin palosur prapa pikturave.

Konservuesi Jim Dimond, që është i specializuar për veprat artistike që janë të dëmtuara jashtë çdo mase, ka thënë se ishte goxha e çuditshme që pikturat ishin prerë në pjesë të veçanta para se të paloseshin e të ktheheshin prapa pikturës. “Nuk ka farë logjike që…nuk duket se ka kuptim”, ka thënë ai.

Një teori është që dikush, mbase konti ose ndonjë prej rrethit të tij, ka pasur dyshime të papritura mbi këtë përpjekje.

“Konti nuk po e bën këtë për shkak se ai nevojisht i urren pikturat”, ka thënë kuratori Richard Ashbourne. “Ai po e bën këtë për shkak se ai do më shumë hapësirë në atë çfarë është përnjëmend një dhomë e rëndësishme. Ai do më shumë piktura”.

Projekti është ende në ditët e tij të para, por pastrimi ka dhënë një dromcë se sa spektakulare duken portretet. Heqja e shtresave të trasha të vernikut dhe pikturimi i tepërt zbulojnë që tone të kafta të lëkurës të jenë të bardha në të rozë.

Pikturat janë restauruar para se të shfaqen vitin e ardhshëm në “Tate Britain”, si pjesë e një ekspozite madhore që qëmton kulturën e barokut në Britani. Tabitha Barber, kuratore e galerisë së artit britanik nga vitet 1550 deri më 1750, ka thënë se plani ishte që të ribëhej një element i paraqitjes së tyre burimore, me pasqyrime të plota mes tyre.

“Dahlët e Petworthit janë mes veprave më të mira të artistit dhe ne gjithnjë e dinim se do të donim t’i përfshinim si shembull të tyre në ekspozitën tonë, me shpresë në formatin e tyre origjinal”, ka thënë ajo. “Është vërtet befasuese që ‘National Trust’ është pajtuar që të nisnim këtë projekt ambicioz konservimi”.

Dimond ka kohë deri në Kërshëndella që ta përfundojë restaurimin dhe është qetësisht besimplotë. Projekti nuk është pa sprova, përfshirë edhe faktin se një nga portretet nuk është prerë pastër, duke lënë skaje të dhëmbëzuara.

Kuratori për piktura dhe skulptura në “National Trust”, David Taylor, ka thënë se rëndësia e dy prej pikturave që janë pjesë e “koleksionit të jashtëzakonshëm të pikturave në Petworth” nuk duhet të mbivlerësohet.

“Duka i gjashtë i Somersetit darkonte shpesh në dhomë dhe mirëpriste vizitorë me rëndësi, përfshirë Karlin VI, perandorin e ardhshëm të shenjtë romak, ku ata do të rrethoheshin prej portreteve që i shihnin nga sipër”, ka thënë ai.

Dy dukeshat e portretizuara ishin zonja të dhomës së gjumit nën mbretëreshën Anne, një monarke e mirënjohur te audiencat bashkëkohore, falë Olivia Colmanit që e kishte portretizuar në filmin që ka fituar Oscarin “The Favourite”.

Pikturat janë pjesë e një tradite të gjatë në Evropë të serisë së “bukurosheve” dhe janë të krahasueshme me setin e oborrit Hampton, të mbikëqyrur nga mbretëresha Mary në vitet 1690. /KultPlus.com

Të ngjajshme