Retrospektivë e piktores Alije Vokshi në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

10 Shkurt, 2018 - 10:40 am

Më 16 shkurt 2018, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës së parë në kuadër të Programit Artistik të GMK-së për vitin 2018.

Viti 2018 fillon me ekspozitën “Retrospektivë,” të piktores së mirënjohur, Alije Vokshi.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare që diplomoi për pikturë. Kurator i ekspozitës është Lorik Sylejmani.

Zonja Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.
Kjo ekspozitë retrospektive shpalosë një pjesë të krijimtarisë së piktores Alije Vokshi dhe janë veprat e para me të cilat nisi karrierën.

Ekspozita vjen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës si eveniment i listuar edhe nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Sh.T. Z. Hashim Thaçi, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, ndërkaq drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme