Rezistenca pjesë fundamentale e artit bashkëkohor, Behluli: Ajo tenton të duket sa më autentike dhe e sinqertë

22 Janar, 2022 - 10:30 am

Uranik Emini

Përpara Teatrit të Qytetit të Gjilanit po mbledheshin një grup i njerëzve që kishin shprehur interesim për të parë ekspozitën e kuratorit Mehmet Behluli, i cili përmes një diversiteti artistësh po bëhej gati që të prezantonte përpara publikut ekspozitën e tij të titulluar me shumë kujdes, “Rezistenca”, shkruan KultPlus.

Rezistenca e vazhdueshme e komunitetit artistik, e shprehur sidomos gjatë kohës së luftës dhe masave të dhunshme në vitet e 90-ta, ndikuan që Teatri i Gjilanit të marrë statustin e atij profesionist vetëm pak kohë pasi të përfundonte lufta.

Me një elaborim të rezistencës në aspektin teorik, si dhe qëndrueshmërinë e paraqitur ndër vite përmes artistëve dhe rrugëtimit të tyre, kuratori Mehmet Behluli e bëri hapjen e kësaj ekspozite.

“Vitet 90-ta ishin të tmerrshme nga ardhja e Millosheviqit në pushtet, kur çdo gjë shqiptare pushoi së funksionuari dhe si pasojë e represionit të regjimit të tij të radikalizuar dhe agresiv, u imponua domosdoshmëria e rezistencës, pasi njerëzit u larguan nga objektet publike me dhunë, e që në mënyrë të natyrshme shtoi ‘rezistencën’. Edhe artistët paraqitën rezistencën e tyre në mënyrë artistike, ndonëse nuk ishte hera e parë që ata tentuan që përmes artit të tyre si mjet e vegël, të rezistonin, siç ishte rasti i bacë Adem Demaçit, i cili pikërisht me artin e tij letrar iu kundërvu represionit të kohës”.

Ai tregoi se “Rezistenca” e pas luftës së vitit 1999, ishte rezistencë ndaj shumë padrejtësive e sfidave, në kohë tranzicioni të gjatë, dhe duke kulmuar me rezistencën e sotme të artistëve bashkëkohorë, si rezistencë ndaj vetes.

Artistët e mirënjohur Jakup Ferri, Abedin Azizi, Brilant Milazimi, Agron Blakçorri, Fidan Bejtullahu dhe Bekim Zeqiri, përmes mediumeve të ndryshme sikurse videove, pikturave, instalacioneve u munduan të përçonin jo vetëm aspektin e jashtëm aritstik, por një mori kuptimesh që vizitorët mund t’i sendërtonin në përputhje me personalitetin e tyre, traditat kulturore dhe shoqërore që përfaqësonin dhe aspektet profesionale në sfondin e tyre individual.

Në një prononcim për KultPlus, Behluli tenton që të shpjegojë gjithnjë se politika dhe arti nuk duhen të përzihen me njëra tjetrën, pasi as njëra e as tjetra nuk luftojnë mes vete.

“Politika dhe arti e konsiderojnë njëra tjetrën sikurse armiq, por realisht kjo gjë nuk qëndron aspak”.

Duke tentuar që fjalën “Rezistencë” ta paraqes gjithnjë si një “luftë” më vetvete, Behluli tha se Rezistenca dhe koncepti i saj nuk është rezistenca me armikun ose me të tjerët.

“Ajo ka të bëjë pikërisht me vetvetën, si të jesh sa më shumë autentik, sa më i sinqert dhe i drejtpërdrejt dhe si rrjedhojë e kësaj të jesh normal”.

Tutje, Behluli përmendi edhe faktin se ai është munduar që përmes diversiteteve dhe mediumeve të ndryshme, të paraqes këtë ekspozitë për herë të parë në qytetin që ka lindur.

“Për mua është interesant që të prezantojë veprat e mija përpara publikut të Gjilanit, nuk kam pasur asnjëherë mundësi. Varg e Vi si komunitet artistik e ka bërë të mundur një gjë të tillë, i kam të dashtun dhe përzemër për shkak se janë entuziastë të rrallë që tentojnë t’ia shtojnë Gjilanit edhe një vlerë tjetër, siç është arti bashkëkohor. Qytetet tona e kanë problem që të kuptojnë se arti bashkëkohor është për vetvetën”, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Varg e Vi, Avni Shkodra, tha për KultPlus se termi Rezistencë është më autentik për të gjithë ne, kjo edhe lidhet me Flakën e Janarit.

“Realisht, themelimi i Flakës së Janarit erdhi e gjitha si rezistenë kombëtare ose si rezistencë ndaj shtypjes për kulturën dhe artin shqiptar. Ne jemi munduar që edhe tani të bëjmë një rezistencë ndaj asaj të vjetrës, duke ndryshuar në procesin organizativ, por asnjëherë duke mos humbur trashëgimin kulturore të këtij Festivalit”.

Në fund, Shkodra u shpreh i kënaqur me këtë ekspozitë dhe me gjithë reagimin e publikut, i cili nuk ishte në masë të vogël përkundër temperaturave të ftohta në vend.

E gjitha kjo ekspozitë ishte organizuar për herë të parë nga organizata kulturore, Varg e Vi, e cila në kuadër të Flakës së Janarit, gjegjësisht Penelit të Flakës”, bëri edhe prezantimin e ekspozitës në bufenë e Teatrit të Gjilanit. /KultPlus.com

May be an image of 12 people, people standing and outdoors

Të ngjajshme