27 Mars, 2024 - 10:12 am
Artisti dhe skulptori i famshëm amerikan Richard Serra, i njohur për shndërrimin e mureve të lakuara prej çeliku të ndryshkur dhe materialeve të tjera të lakueshme në disa vepra të artit në natyrë që tani janë të vendosura në të gjithë botën, vdiq dje në mbrëmje në moshën 85-vjeçare në shtëpinë e tij në Long Island, Nju-Jork, sipas AP.
I konsideruar si një nga skulptorët më të shquar të brezit të tij, Serra studioi fillimisht për pikturë në Universitetin e Yale, por iu kthye skulpturës në vitet 1960, i frymëzuar nga udhëtimet në Evropë.
Sipas raportimeve të medias amerikane, Serra vdiq si pasojë e pneumonisë.
I njohur si “poeti i hekurit”, Serra u bë i njohur në mbarë botën për strukturat e tij të çelikut në shkallë të gjerë, të tilla si harqe monumentale, spirale dhe elips. Ai u identifikua me lëvizjen minimaliste të viteve 1970.
Puna e Serra filloi të tërheqë vëmendjen e publikut në vitin 1981, kur ai instaloi një mur të lakuar prej çeliku të papërpunuar 36,5 metra të gjatë dhe 3,6 metra të lartë që ndan Federal Plaza në Qytetin e Nju Jorkut.
Skulptura, e quajtur “Harku i pjerrët, shkaktoi reagime të shpejta nga njerëzit që punonin atje duke paraqitur një kërkesë të ashpër që ajo të hiqej. Skulptura u hoq më vonë, por popullariteti i Serra në skenën e artit të Nju-Jorkut ishte ‘çimentuar’.
Shumica e punimeve në shkallë të gjerë të Serra janë salduar në çelik Cor-Ten, por ai gjithashtu ka punuar me materiale të tjera jo tradicionale si gomë, latex, neon si dhe me plumb të shkrirë, të cilin Serra e hodhi në mur apo dysheme për të krijuar seritë e tij “Splash” në fillimet e karrierës së tij.
Veprat e tij janë instaluar në peizazhe dhe janë përfshirë në koleksionet e muzeve anembanë botës, nga Muzeu i Artit Modern në Nju-Jork deri në shkretëtirat e Katarit.
Në vitin 2005, tetë vepra kryesore nga Serra u instaluan përgjithmonë në Muzeun Guggenheim në Spanjë.
Carmen Jimenez, organizatorja e ekspozitës, tha se Serra ishte përtej çdo dyshimi skulptori më i rëndësishëm i gjallë.
Lindur nga një nënë ruso-hebreje dhe një baba spanjoll në San Francisko, Serra ishte i dyti nga tre djemtë e familjes.
Ai filloi të vizatonte që në moshë të re dhe u frymëzua nga koha që kaloi në një kantier detar ku babai i tij punonte si tubues.
Para se t’i kthehej skulpturës, Serra punoi në shkritoret e çelikut për të ndihmuar në financimin e arsimimit të tij në kampuset e Berkeley dhe Santa Barbara të Universitetit të Kalifornisë. Më pas ai vazhdoi në Yale, ku u diplomua në vitin 1964. / atsh / KultPlus.com