3 Dhjetor, 2021 - 7:00 pm
Nga ekspozita “Dardharët”, e cila vazhdon të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, ky institucion përcolli sot për publikun ikonën “Ringjallja e Krishtit” me autor Grigor Zdruli, e punuar në vitin 1899 dhe me origjinë Kishën e Burimit Jetëdhënës, Korçë.
Grigor Zdruli, një nga ikonografët më të mirë dardharë, i cili kryesisht punoi dhe jetoi në Malin e Shenjtë, dhe ku mësoi dhe shumë breza të tjerë artistësh dhe ikonografësh, edhe nga Dardha, siç ishte dhe artisti Vangjel Zengo.
Atelieja e tij në Malin e Shenjtë, ka pasur një aktivitet tepër të zhvilluar, ku veprat e të cilës shiteshin jo vetëm në Greqi, por edhe në vendet e tjera të Lindjes.
Në këtë ikonë përveçse paraqitet skena biblike e ringjalljes së Krishtit dhe ngjitjes së tij, në qiell, në madhështinë e tij hyjnore, dhe ku rojet, të cilët duhen të kujdeseshin, gjenden në pjesën e poshtme të ikonës të mbështetur në tokë dhe të fjetur në natyrën e tyre njerëzore.
Ikona mban mbishkrimin ” Vepër e Grigor Jeromonakut nga Dardha, 1899″
Fundi i shek. 19-të, filloi të sillte ndryshime në ikonografi. Përpjekja për të shkuar drejt pikturave të Rilindjes europiane dhe autorëve të mëdhenj kishte filluar të frymëzonte artistët rusë, lindorë dhe kjo po vërehej dhe në atelietë e Malit të Shenjtë, po ashtu dhe atelienë e Grigor Zdrulit.
Rregullat strikte Bizantine, figurat stative, planet dy dimensionale, po fillonin të zëvendësoheshin nga kompozime plot ndjenjë dhe dinamikë. Në portrete, ndihet vëllimi dhe shkrirja e tonaliteteve dhe ngjyrave, ndërsa në peisazhe, shfaqen dukshëm perspektiva dhe vëllimi dhe materializimi.
Me tone realiste, ikona ndahet në dy pjesë, në atë hyjnore dhe tokësore, ku kompozimi ndahet jo vetëm në forma por edhe në ngjyra, duke krijuar kështu kontraste të forta.
Grigor Zdruli, është ndër ikonografët e parë, piktor, i cili, studioi me përkushtim dhe frymëzoi edhe brezat pasardhës në ndjekjen e gjurmëve të kryeveprave Europiane./KultPlus.com