Robert Pichler sjellë ekspozitën personale në shtëpinë e Kadaresë

20 Qershor, 2018 - 12:42 pm

“Një arkivol që kalon përroin! Është bosh apo me trup të vdekuri brenda? Duhet të jetë bosh, pasi hapi i burrit që mban arkivolin, ndihet i lehtë dhe kaq preciz i ngulur mbi shkëmb, sikur të ishte një flutur e ndalur për të thithur furnizim mbi gojën e një luleje. Arkivoli duhet të jetë bosh por fotoja është shumë e ngarkuar me peshë sa ndihesh sikur ke gëlltitur një re të madhe gri”.

Ky është imazhi i vetëm një prej fotografive që Robert Pichler historian, antropolog dhe fotograf do të ekspozojë më 26 qershor në Muzeun “Shtëpia Kadare” në Gjirokastër nën kurimin e Edit Pulës. Ekspozita e Pichler është një kthim në kohë përmes fotove që duket sikur zëvendësojnë historinë.

“Udhëtimet e mia të para më çuan në malet e Shqipërisë së Veriut, Mirditës, Nikajt dhe maleve të Dukagjinit. Edhe atje, shoqëria po përjetonte një përmbysje dramatike. Mbijetesa me burimet e vendit nuk ishte më e mundur dhe për shumë njerëz perspektiva e vetme për përmirësimin e situatës ishte emigrimi. Vetëm familja dhe rrjetet e ngushta kishin mundësi të të garantonin njëfarë stabiliteti. Kam qenë dëshmitar i këtij solidariteti të ngushtë të familjes, u ftova në dasma, fejesa dhe funerale dhe pashë njerëz që përpiqeshin të rigjallëronin ligjin e vjetër zakonor (Kanunin) përballë mungesës së rendit dhe ligjit shtetëror”, tregon ai.

Në vitin 1996 ai u kthye në Shqipëri me një projekt të ri. Udhëtoi drejt Shqipërisë së Jugut, në malësitë e Kurveleshit dhe në Himarë për të hetuar marrëdhënien komplekse midis organizimit të punës, mjedisit dhe strukturave familjare. Ky hulumtim u prek përsëri nga shpërbërja e përsëritur e rendit të shtetit.

“Në vitin 1997, pas rënies së skemave kriminale, piramidale Shqipëria u mbyt në kaos dhe anarki. Deri në vitin 1998 nuk munda të vazhdoja studimet e mia. Teksa gjithkush vazhdonte rrugëtimin përpara, unë u zhyta në kërkime për të kaluarën, arsyet e historisë kaq të veçantë të këtij vendi, gjithashtu humnerën shoqërore, fatet e atyre që u lanë vetëm dhe të papërfillur. Takimet emocionuese, bashkë me respektin që gjeta te njerëzit, rritën interesimin tim për vendin dhe historinë e tij dhe kjo bëri që unë të kthehem rregullisht në këtë tokë prej asaj kohe” shprehet Robert Pichler.

Për kuratoren Edit Pula vitet 90-të janë vite të rëndësishme, si për historinë e Shqipërisë, ashtu sikurse shprehin edhe themelin në formimin e identitetit tonë individual në shoqërinë postdiktatoriale.

“Shumë prej nesh mund të kujtojnë aspekte të ndryshme të atyre viteve tranzicioni, e shumë prej nesh ende flasin për keq apo për mirë për ato kohë të trazuara. Por, shumë pak prej nesh mund të dëshmojnë vizualisht atë përvojë jetike, atë shkapetje sociale, atë kohë pa kohë, me të cilën u përballëm. Teksa ne vetëm i jetonim këto kohë e të pamundësuar me mjete, si aparatet fotografike, një student austriak vjen në Shqipëri dhe bën pikërisht këtë! Ai fotografon vazhdimësinë e jetës shqiptare. Ai na sheh dhe ne e lejojmë të na shohë e të shohë mizerjen dhe bukurinë e mbetur. Më prek jashtëzakonisht shumë autenticiteti i këtyre fotove, mënyra si e ka fiksuar realitetin Roberti e sa të dorëzuar me dinjitet dukemi, pavarësisht varfërisë që na rrethon”, thotë Pula.

Nga Malësitë e Dukagjinit tek ato të Kurveleshit, nga Curraj i poshtëm në Çorrajn e sipërm, nga Shkodra në Gjirokastër, nga Fterra në Tiranë, kudo njerëz e peizazhe të zhveshura nga çdo e paqenë, të dorëzuar miqësisht në objektivin e aparatit të Robertit.

“Ky dorëzim i sinqertë e i pazakontë shqiptar ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se i gjithë vendi dukej i dorëzuar. Rrugë nacionale të derdhura në baltë, lumenj pa shtrat, luanë e luanesha të paushqyer, vitrina dyqanesh pa mall. Metaforikisht Shqipëria dukej në autopsi, me të gjitha organet shpalosur mbi tavolinën e kirurgut, i cili, i kapur gafil, s’di ç’të kapë për të fshehur më parë – “një zorrë a një balluke” nga pamja shqetësuese. “Shih e shkruaj” është një shprehje tipike shqiptare, e cila vjen si përgjigje ndaj pyetjes “Si je?” (për të mos e zgjatur përshkrimin, diçka që duhet të shihet qartë). Kjo është gjendja që më transmetojnë këto fotografi të Shqipërisë së viteve `90-të, asnjë lavdë e asnjë plagë më shumë se çka mbart brenda, bashkë me nuancën e saj komplekse, e vërteta njerëzore. Duke marrë parasysh rikthimin në kohë që evokojnë këto foto, gjithashtu ftesën për tu pozicionuar përkohshëm midis së tashmes dhe së dikurshmes, lindi ideja e krijimit të një ekspozite lëvizëse, paralelisht me ekspozitën e instaluar në ambientet e galerisë apo muzeut të qyteteve pritëse. Duke integruar disa nga autobusët e linjës urbane lokale si hapësirë ekspozimi, ne sjellim kujtesën e përbashkët në ambientet e përbashkëta, në hapësirën publike, me qëllim familjarizimin e marrëdhënies sonë me atë periudhë të historisë që është lënë pas dore dhe ka mungesë të vetëdijes së duhur”, thotë kuratorja.

Edit Pula (J) është artiste, kuratore, producente nga Tirana, e cila momentalisht punon edhe si Këshilltare Kulturore e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Puna e saj artistike-kuratoriale është kryesisht e fokusuar tek trashëgimia shqiptare dhe mënyrat se si ajo mund të prezantohet dhe promovohet në formë bashkëkohore. Projektet e saj më të fundit janë instalacione specifike dhe projekte artistike, me qëllim ngritjen e urave të dialogut me të kaluarën në mbështetje të kujtesës së përbashkët.

Fushat kryesore të kërkimit të Robert Pichler janë, familja dhe marrëdhëniet farefisnore, migrimi dhe transnacionalizmi, si edhe historia politike e shek 19të dhe 20të në Europen Juglindore. Ai është studiues në departamentin e studimeve ballkanike në Akademinë e Shkencave në Vienë si edhe pedagog në Qëndrën e Studimeve të Europës Juglindore në Graz./ KultPlus.com

Të ngjajshme