14 Qershor, 2018 - 5:38 pm
Do të nisë sot edicioni i radhës i Panairit të njohur Art Basel.
Edicioni i 49-të e gjen si pjesëmarrëse edhe artisten nga Kosova, Flaka Haliti.
Madje, ajo konsiderohet si një prej artisteve që duhet të marrë vëmendjen në këtë edicion, me punën e saj artistike që konsiston në një robot të punuar me objekte të gjetura në kampet ushtarake të KFOR-it në Kosovë.
Deborah Schamoni është galeria përfaqësuese e Flakës, shkruan KultPlus.
Its Urgency got lost in reverse (while being in constant delay) #2, është emri i punës së Flakës, vazhdimësi e vitit të kaluar por tani me një robot me pamje tjetër.
Haliti kësisoj krijon një hapësirë ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja mjegullueshëm e kthejnë robotin në një metaforë të kohës. Roboti vazhdon të jetë një pajisje trans-historike. Roboti qëndron në një dysheme argjendi me mjete izolimi, e cila bashkë me elementet tjera të punës e kthejnë hapësirën në një skenar futurist.
290 galeri nga 35 shtete janë pjesëmarrëse në këtë ngjarje të madhe të artit, e cila do të zgjasë deri me 17 qershor.
Flaka Haliti është ndër artistet më të njohura dhe aktive nga Kosova. Ajo është fituese e Henkel Award dhe Sallonit të Tetorit, dhe pjesëmarrëse në Bienalen e Venecias në Itali.
ART BASEL mbahet në Sallën Messe Basel. / KultPlus.com