13 Tetor, 2018 - 3:46 pm
Artisti Sislej Xhafa po e bën gati ekspozitën e tij të radhës.
Xhafa, një prej emrave më të mirë të artit bashkëkohor ndër shqiptarë, me 19 të këtij muaji në Havana do të hapë ekspozitën e radhës personale.
“Rosa Azul” do të hapet me një performancë me titullin “Again and Again”, ndërsa po të njëjtën natë do të performojë edhe Orkestra ‘Solistas de la Habana’.
Xhafa kësaj radhe do të pushtojë Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura në Havana – në Universal Art Building.
Ekspozita e parë gjigante e Xhafës në Kubë ka punë artistike të Xhafës në retrospektivë por edhe punë të krijuara enkas për ekspozitën.
“Rosa Azul” është një dedikim për bukurinë e ishullit Havana rrethuar nga trazirat globale dhe për njerëzit e veçantë të kësaj pjese të botës.
Kurator i ekspozitës është Jorge Fernandez Torres. Sipas tij, ekspozita e sjellë me vete dramën e tokës së Sislej Xhafës dhe kujtimet e tij nga konflikti në Ballkan.
“Puna e Xhafës është një elegji për rezistencën nga perspektiva e krijuesit që provon të vëzhdojë të gjitha metodat tona për mbijetesë. Sislej ka ndërtuar një karrierë prej nomadizmit që e karakterizon, duke udhëtuar në vende të ndryshme: Angli, Itali e Amerikë. Megjithatë, sjellja e tij nuk është ushqimi i stereotipit të artistit etnograf që kultivon marrëdhënie sipërfaqësore në vendet ku ai shkon” thotë kuratori i ekspozitës në konceptin e tij kuratorial, shkruan KultPlus.
Sislej Xhafa para pak muajsh hapi në Prishtinë ekspozitën në Galerinë e Arteve të Kosovës. Ai ka prezantuar Kosovën, Shqipërinë dhe Italinë në Bienalen e Venecias në Itali ndërsa ka ekspozuar në Manifesta në Ljublanë, në MoMA, në Suedi, në MAXXI Museum në Itali, në Prism Misericordia në Kaliforni dhe në galeri të tjera prestigjioze. / KultPlus.com