8 Gusht, 2017 - 2:42 pm
Sarandë Selimi
Një ide që lindi duke u bazuar tek ‘Humans of New York’. Ajo këtë projekt e ‘adaptoi’ në njëfarë forme dhe e solli përmes ‘Humans of DokuFest’. Është Nita Zeqiri, fotografja nga Prishtina, e cila vjen në një rrëfim për KultPlus, bashkë me projektin e saj në kuadër të DokuFest.
Ajo është inspiruar pikërisht nga ky festival nga edicionet e viteve të kaluara, ku ka takuar njerëz të ndryshëm, duke dëgjuar rrëfime të tyre, dhe ajo tregon për KultPlus se çdoherë e ka menduar se pse mos t’i tregoj tregimet e këtyre njerëzve që edhe të tjerët t’i dëgjojnë ato. Krejt kjo ka qenë ajo që e ka shtyrë Nitën ta bëjë këtë projekt bashkë me Festivalin e Filmit Dokumentar dhe atij të shkurtër DokuFest, në edicionin e tij të 16-të që nisi të premten e 4 gushtit në Prizren.
“Deri tash në këtë edicion kam takuar shumë njerëz dhe i kam marrë rrëfimet prej personave të ndryshëm. Fokusi i këtij projekti është te tema e DokuFest-it ‘E ardhmja’, pra gjithçka që ka të bëjë më të ardhmen e atyre personave. Po pres të takoj më shumë njerëz në ditët në vijim, por deri tash për vetëm dy ditë, ka qenë një përvojë interesante, ka pasur njerëz që më kanë intriguar prej më herët të cilët janë pjesë e DokuFest në formë direkte ose indirekte. Qëllimi është që projekti të jetë sa ma gjithëpërfshirës, grupmosha të ndryshme, nacionalitete të ndryshme, pra të ketë diversitet sa më të madh. Por tash varet edhe nga ajo se sa njerëzit janë të gatshëm të ndajnë diçka nga vetja e tyre, sa i kanë tregimet interesante, sa kanë mendime për të ardhmen”, tha për KultPlus Nita Zeqiri, e cila vazhdoi tutje rrëfimin e saj shumë të këndshëm, duke treguar për eksperiencën që ka pasur këto pesë ditë të DokuFest, me njerëzit që ka takuar.
“Deri tash të gjithë personat që i kam kontaktuar për tu bërë pjesë e projektit ‘Humans of DokuFest’ kanë qenë kryesisht të hapur. Shumica prej tyre më kanë intriguar më mënyrën se si ata e perceptojnë periudhën e DokuFest-it ose vetë DokuFest-in. Por pasi tema e së ardhmes, ka edhe tregime personale nuk është fokusi vetëm te DokuFest-i por te disa edhe e ardhmja e tyre personale lidhet me DokuFest-in te disa tjerë e ardhmja e tyre lidhet në forma të tjera, ndoshta me profesionin e tyre apo mënyrën e jetesës”, u shpreh tutje Nita, duke treguar se në këtë formë ky është bashkëpunimi i parë më DokuFest.
KultPlus, ka pas mundësinë të qëndroi me Nitën, deri sa ajo realizoi disa intervista e fotografi me njerëzit e piketuar për këtë projekt. Ajo çka na bëri përshtypje ishte një pyetje e Nitës: “Përshkruaje të ardhmen tënde me një fjalë?”, kjo ishte pyetja që të gjithë i bënte të mendonin aq shumë, e kështu e pyetëm edhe ne Nitën, që ajo ta përshkruaj të ardhmen e saj me një fjalë.
“Nuk e kisha menduar që është kaq e vështirë, por sidoqoftë po, kisha mundur të them që e ardhmja ime do të vazhdoj të jetë e lidhur ngushtë me artin dhe kulturën, duke vazhduar të sjellë krijimtari në forma të ndryshme dhe të kem më shumë bashkëpunime me fusha të ndryshme sociale si sociologji, psikologji sepse ato më intrigojnë. Kjo është mënyra se si unë e shoh të ardhmen, njëfarë vazhdimësie të kësaj që kam bërë viteve të fundit dhe tash, vetëm se më e thellë”, u shpreh Nita Zeqiri.
Nita këtë rrëfim për KultPlus, e përmbylli me një përshtypje të saj për festivalin më të madh në vend, DokuFest.
“Jam lidhur shumë emocionalisht me DokuFest-in dhe me temën e këtij edicioni, ndoshta edhe pse jam duke u marrë edhe vetë me këtë temë. DokuFest, mendoj që gjithmonë i ka temat shumë provokuese edhe po mendoj që ky edicion është një lloj revolucioni për shoqërinë tonë, për shkak që kryesisht jemi shumë të përqendruar në të kaluarën, nuk është keq të jesh i fokusuar në të kaluarën por mendoj që nganjëherë duhet të bëjmë një hap edhe nga e ardhmja, duke e marrë parasysh që ka shumë të rinj, mendoj që me këtë edicion DokuFest ka filluar të bëjë një lloj revolucioni te gjeneratat e reja, të paktën t’i provokojë mendjet e tyre edhe t’i nxis të shohin më larg”, përfundoi Nita Zeqiri. / KultPlus.com