31 Dhjetor, 2017 - 2:07 pm
Si 12 vjeçar, Rroni do të niste për herë të parë të pikturonte. Babai i tij i ka thënë qëmoti se do të duhet të kalojnë shumë vite dhe shumë punë për tu shndërruar në një prej piktorëve më të mirë të botës. Agim Qena ka ndikuar shumë në formimin e Rronit, ai këtë e pranon pa pikë hezitimi. E kanë krahasuar me Piccaso e herë me Matisse, por Rroni thotë se këtë vit ka ardhur në frekuencën e tij personale, duke mos qenë as hija e ndonjë piktori tjetër. Rron Qena është ndër piktorët më të mirë shqiptarë, dhe këtë e dëshmon dora e tij në letrën e bardhë të pikturës. I inspiruar me femrat, me të bukurën, me mërzinë më pak, me ndotjen e ajrit, dukshëm edhe me natyrën, e sjellim sot një intervistë me Rronin, ku ai flet për vitin 2017-të dhe artin e tij si përthekim të gjendjes shpirtërore.
Arbër Selmani
KultPlus: Këtë vit vendose me ardhë me një ekspozitë e cila ndoshta ka qenë e pritshme nga ti për shkak se ke pauzuar një kohë dhe e ke sjellë një realitet të cilin ne shumica e dimë dhe i ekspozohemi, ndotjes së ajrit në kryeqytet. A mundesh pak me më tregu sidomos për këtë ciklin e fundit, se si erdhi ideja?
Rron Qena: Tema e Prishtinës më ka përcjellë gjatë gjithë karrierës, sepse jemi duke u rritur në këtë qytet dhe e kemi si damar tonin, pra marrim frymë me qytetin tonë. Para një viti, ndoshta edhe më herët, isha i indinjuar me drunjtë që i patën prerë, dhe e bëra një pikturë ku qyteti është zhdukur, dhe në atë punim kur e mbulova qytetin doli një pamje e re me një lloj mjegulle. Pas kësaj ndodhi ndotja e ajrit në Prishtinë, iu dha një mjegull qytetit ku edhe atëherë nisa të punoj në një cikël të tillë, me qytetin në mjegull me stil të njëjtë. Në tjetrën anë edhe pse isha i lodhur nga Prishtina dhe duke mos pasur çka me bo, i dhashë shans vetes që edhe njëherë të merrem me atë se çka po përjetojmë, me mbrri me reflektu atë që po shohim.
KultPlus: Çka është inspirimi tjetër përpos Prishtinës?
Rron Qena: Pa frymëzim nuk ka punë, ndoshta mundesh të punosh por nuk ka kreativitet. Zakonisht përpara më kanë frymëzuar gjërat, ngjyrat, se si i përdorim nëpër rroba, ëndrrat, gjumi, mendimet, natyra dhe krejt çka shohim. Aty mundesh me gjet diçka që me prezantu veten. Përpara kam dashur ta prezantoj një bukuri, çkado qoftë ajo, mënyra se si po e sheh, por tash nuk është puna se si po e sheh, pra jo vetëm syrin me ta kënaq por me mbërri me ta ngacmu edhe zemrën. Kjo po, është më e vështirë, sepse punimi duhet të ketë një lloj kuptimi, por si duket duke u rritur nuk po mjafton vetëm pamja. Tash po bëhet më vështirë por edhe më interesant.
KultPlus: E kemi folur njëherë bashkë se ka kohë që nuk ke marrë pjesë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me ndonjë ekspozitë. A ka ndonjë arsye prapa kësaj apo…?
Rron Qena: Kam marrë pjesë në ekspozita kolektive në Galerinë Kombëtare të Kosovës, por mandej me një kohë mendoja që duhet me ekspozu gjithkah, që njerëzit me mbërri me pa punën time, dhe atëherë e kisha më lehtë nëpër ekspozita të vogla ku njerëzit vijnë e të njoftojnë, nëpër vende më alternative. Kjo pak ka mbetur si shprehi. E tjetra është që pas Akademisë së Arteve, kam qenë i zhgënjyer pak me klanet e institucioneve, do të thotë duhet të jesh pjesë e një klani që me mbërri me ekspozu. Nëse një drejtor është në Galerinë e Arteve, ai i merr ata të vetët, nëse tjetri vjen ai i merr të tjerët, kështu që më është dukur pak ‘helaq’ mundem të them dhe kam shikuar një rrugë më alternative.
KultPlus: A ndodhë kjo edhe sot, a mendon që sot janë të krijuara klanet, jo vetëm në artin pamor, por që ky problem është i madh e i pranishëm në të gjitha fushat e artit ku duhet të jesh gjithsesi shok i dikujt për të qenë pjesë e një organizimi?
Rron Qena: Unë mendoj që tek ne gjithqysh janë në pyetje klanet. E sheh që nga politika, si të ndërrohet partia ndërrohen edhe drejtorët edhe gjithçka tjetër. Mundohen me i shfrytëzuar ato vite që i kanë dhe jo vetëm në art po gjithkah, si në teatër si gjithkund tjetër. Këtë e kam parë nga Akademia e Arteve, si studentë aty kanë qenë profesorët bashkë dhe nga Akademia e Arteve kanë mbërri ta kenë edhe Galerinë e Arteve.
KultPlus: Ti ke pasur ftesë të shkosh në Galerinë e Arteve?
Rron Qena: Mua ndoshta më është dukur më lehtë të kem ekspozita më të vogla, por më duket që tash jam pak jashtë. S’po di, ndoshta ka ndërruar diçka kohëve të fundit dhe normal qejf kam që të ekspozoj në Galerinë Kombëtare por e di që duhet më shumë punë, sepse është e madhe. E nuk duhet punë vetëm nga unë por edhe nga institucioni, sepse duhet t’i mbledh punimet sepse kam edhe jashtë vendit shumë, kështu që ka punë.
KultPlus: Si e sheh Rroni momentalisht artin në Kosovë?
Rron Qena: Arti tek ne në Kosovës, tash normal mundemi me thënë që jemi pak prapa me botën, por kohëve të fundit është goxha real, do të thotë ke artistë shumë të mirë që provojnë ta gjejnë veten nëpërmjet mediumeve të caktuara. Kështu që, mendoj që është mirë, por nevoja e madhe është që institucionet duhet t’i mbështesin më shumë, sepse në fund të gjithë përfitojnë nga arti, por artisti duhet t’i bëjë të gjitha vetë. Mendoj që, ka edhe të rinj që janë të interesuar edhe pse arti në ditë të sodit e ka ndërruar kahjen. Unë gjithmonë kam menduar që me art duhet ta fascinosh dikë, por tash e kuptoj që me art nganjëherë duhet edhe ta mërzisësh dikë.
KultPlus: A mendon që edhe punët tua i përshtaten këtij disponimi, sado që janë të bukura janë duke e shkaktuar edhe këtë emocionin tjetër, mërzinë ?
Rron Qena: Punët e mia artistike munden me shkaktua mërzinë, por prapë e kanë një lloj shprese, unë prapë mendoj që duhet ta fascinosh syrin e dikujt gjithsesi me mjeshtërinë tënde.
KultPlus: A ka ndonjë rezidencë, a ka ndonjë udhëtim tash që po pret me shku, ose ekspozita paraqitje?
Rron Qena: Njëherë për njëherë për ekspozitë nuk kam ndonjë plan. Planet i kam që të punoj, dhe të bëjë ndonjë kontakt si gjithmonë privatisht, dhe kontaktet dua t’i bëj në Berlin, sepse atje po mendoj të jetoj për një kohë.
KultPlus: Dhe për fund, si qëndron me shitjen e priturave, a mundet një artist i Kosovës të mbijetoj duke shitur duke mos pas një punë tjetër?
Rron Qena: Unë qëndroj goxha mirë, mundem të mbijetoj me shitjen e pikturave, por është problem sepse duhet të jesh edhe piktor edhe menaxher dhe të gjitha t`i bësh vetë, e shumica e piktorëve ndoshta nuk i kanë krejt këto vlera. Mendoj që shoqëria jonë kanë mbërri në një nivel ku ka nevojë për art dhe njihet më mirë arti. Artistët duhet të dinë shumë që t’ua ‘marrin paret’ publikut, me një punë që të len përshtypje. Varet krejt nga artisti. Duhet të ketë art sa më shumë, se shoqëria ka nevojë për art. / KultPlus.com