6 Mars, 2018 - 11:08 pm
Sonte, në 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, në kuadër të shënimit të jubileut të ngjarjeve të marsit të 1998-tës, në ambientet e Muzeut të Kosovës u bë hapja e ekspozitës “Rrugët e lirisë”, e artistit Xhevdet Pantina.
Ekspozita, përmes ekspresioneve vizuale, paraqet tërësinë e fatit historik që përjetuan Jasharajt në Prekaz, i madh e i vogël në luftë kundër armikut. Simbolika e shprehur është edhe një kujtesë e rrugëtimit të popullit tonë për liri të cilës i priu heroi ynë i gjallë, komandanti legjendar Adem Jashari.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë personalitet të shumta të politikës dhe botës së artit, ndër ta zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministrat Kujtim Gashi e Rrustem Berisha, kryetarët e Skendrajt Bekim Jashari, respektivisht i Drenasit, Ramiz Lladrovci ndër të tjerë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit u shpreh se me këtë ekspozitë nderojmë veprën, sakrificën dhe gjakun e Jasharajve me rastin e njëzet vjetorit të shënimit të Epopesë së UÇK-së, si dhe të gjithë dëshmorët e kombit, ata që dhanë gjithë çka që patën, edhe jetën e tyre, për lirinë e Kosovës.
“Jo rastësisht kjo ekspozitë ka këtë emërtim, për të kthyer në kujtesë, ta kaluarën e dhimbshme të popullit tonë, sakrificën sublime të komandantit legjendar Adem Jashari të familjes së tij e mijëra ushtarëve të UÇK-së, të qytetarëve tanë të cilët me gjakun e tyre hapën rrugën e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Lufta e UÇK-së e zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare ku do që ata jetonin dhe vepronin”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.
“Mbetet detyrim institucional që Kosova të mos e harroj të kaluarën e dhimbshme por të jemi të gatshëm që të ecim para, vendi ynë për të cilin u sakrifikuan shumë gjenerata e ka të ardhëm në duart e saj”, porositi ministri./KultPlus.com