16 Shtator, 2020 - 3:34 pm
Biblioteka Kombëtare Shqiptare ka bashkuar rrugëtimin 100 vjeçar të abetareve të gjuhës shqipe në një ekspozitë në hollin e Muzeut Kombëtar, shkruan KultPlus.
Ekspozita retrospektive “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942”, e cila sjell para audiencës një vlerë historike dhe gjuhësore të rëndësishme për popullin, u hap nën praninë e Ministres së Kulturës Elva Margariti, drejtorit të Muzeut Kombëtar Dorian Koçi dhe të pranishmëve të tjerë.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, u shpreh se “kjo ekspozitë sjell rreth 100 vjet rrugëtim të Abetares, që reflekton njëherazi një nga rrugëtimet më të vështira, por edhe më të rëndësishmet të emancipimit dhe të kombit shqiptar”.
Përveç dëshmisë historike e gjuhësore, njëherit kjo ekspozitë afirmon edhe personalitete të rëndësishme shqiptare si Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Thoma Pano, Koto Hoxhi, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Jani Vreto, Shefqet Daiu, Pashko Vasa, Parashqevi Qiriazi, Aleksandër Xhuvani, etj.
Përpjekjet e shqiptarëve për shkrimin e gjuhës shqipe kanë qenë të kahershme, në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX këto përpjekje u intensifikuan. Nga koloni të ndryshme të Diasporës intelektualë të kohës u impenjuan të krijonin abetare e fjalorë të Gjuhës Shqipe, përmendim këtu përpjekjet e Kostandin Kristoforidhit i cili botoi më 1867 Abetaren gegërisht, më 1868 Abetaren në toskërisht, si dhe libra të vegjël për nxënësit./KultPlus.com