Rrugëtimi artistik i Halil Muhaxherit erdhi përmes ekspozitës “në shqetësime dhe heshtje”

20 Nëntor, 2017 - 9:46 pm

Gili Hoxhaj

Galeria Kombëtare e Kosovës sonte solli ekspozitën retrospektivë ‘…në shqetësime dhe heshtje…’ të Halil Muhaxherit.

Kjo ekspozitë retrospektive erdhi për të përjetësuar veprat e të ndjerit dhe për të përçuar fuqinë e veprave unike, edhe pa prezencën e tij fizike. Kjo ekspozitë prezantoi për artdashësit veprimtarinë disa vjeçare të Halil Muhaxherit ndërsa erdhi e ndërthurur përmes pikturave ku dominonin peizazhet, natyrat e vdekura, skicat e portretet.

Në fillim të kësaj galerie, në pikturat e artistit dominonin frutat e shpërndarë që i kishte pikturuar mjeshtërisht. Në mes të galerisë kishin zënë vend pikturat e tij të krijuara gjatë periudhës 1998 dhe 1999 , të cilat e shpërfaqin shprehjen e tij dramatike përmes veprave ku ai kishte sjellë disa kompozicione me mbishkrime “Mos ma prek ti shkja Drenicën” dhe “Në Drenicë na u ndal Pranvera”.

“Kjo është një nga ekspozitat që edhe na mallëngjejnë por edhe hedhin dritë mbi historinë e artit bashkëkohor kosovar”, ishin fjalët me të cilat e hapi ekspozitën Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Arta Agani.
Kuratori dhe njëherësh ideatori i kësaj ekspozite – Esat Valla, në ceremoninë hyrëse u shpreh se ndihet i nderuar që sonte po prezanton punën e mikut të tij dhe piktorit Halil Muhaxheri.

“ Halil Muhaxheri nuk i takon atyre artistëve që synojnë ta trasojnë rrugën dhe pastaj të ecin të sigurt nëpër të. Ai vazhdimisht kërkonte, kthehej, ndryshonte, parapëlqente një veprim të caktuar për një periudhë, për të ndërtuar pak më vonë një botë tjetër. Shpesh thoshte se piktura nuk duhet t’i ngjasojë pikturës si veja vesë, e për këtë edhe ne pajoheshim me të. Ai vazhdoi me zgjidhjet dinamike tejet ekspresive dhe në hap me kohën, nga figurativizmi ekspresiv, tek enformeli e pejsazhiasociativ deri tek zgjedhjet avangarde. Është një rrugë që ka pikat e dallimit, ku shenjat, simbolet, kompozicioni dhe hapësira paraqesin një kronologji të veprimtarisë së Muhaxherit”, ishin disa nga fjalët e Esat Vallës në hapjen e kësaj ekspozite.

Në këtë ekspozitë në emër të familjes fjalën e mori Ylber Muhaxheri, i biri i piktorit Halil Muhaxheri i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe organizatorët për këtë ekspozitë.

“Së pari dua të ju falënderoj të gjithëve për prezencën tuaj e cila është shumë domethënëse për ne, së dyti dua të falënderoj stafin e Galerisë Kombëtare për organizimin e kësaj ekspozite dhe falënderimi më i rëndësishëm nga familja vjen për mikun e jetës së babit, axhën Esat” tha Muhaxheri.

Piktori Agron Mulliqi e përshkruan Halil Muhaxherin si profesor dhe koleg të përkushtuar duke thënë se ndihet i nderuar për bashkëpunimin me një njeri si ai. Piktori Mulliqi tha për KultPlus se Halil Muhaxheri është njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj në stilin dhe në artin modern kosovar dhe si veçanti të stilit të tij theksoi ngjyrat, figuracionin dhe harmoninë e kompozicioneve.



Akademiku Rexhep Ferri veprimtarinë e Muhaxherit e vlerësoi si shumë humane dhe njerëzore, derisa tha për KultPlus se ai me këto vlera gjithmonë e ka ushqyer personalitetin e tij krijues që shfaqet sonte edhe në këtë ekspozitë.

“Halili gjatë viteve të 70ta ishte një ndër ata krijuesit mes brezit të parë dhe të dytë, ishte një nga piktorët që premtonte shumë. Halil Muhaxheri krijimtarinë e vet e ka të bazuar në një shpirt shumë njerëzor dhe në fillimet e artit modern shqiptar është prezent edhe vepra e Halil Muhaxherit. Neve na kanë humbur disa vite në demonstrata dhe luftë, dhe tek Halili janë disa vite të humbura dhe kjo mund të jetë arsyeja që ai ndoshta nuk ka mundur ta realizoi krejtësisht vetveten aq sa ka qenë i prirur ta realizoi vetveten” , ka thënë Ferri për KultPlus.

Halil Muhaxheri lindi më 5 prill 1945 në Gjakovë, ku edhe vdiq më 6 tetor 2013. Ai i takon brezit të mesëm të krijuesve kosovarë të cilët kontribuuan në begatimin e këndvështrimeve të reja tematike e shprehimore.

Në vitin 1971, pas studimeve post-diplomatike Halili doli para publikut beogradas me ekspozitën personale në Galerinë e Arteve të Universitetit të Kollarcit, me dhjetëra vepra të ciklit “Jeta dinamike”. Ai imagjinoi dhe fantazoi me plot kreativitet imazhet e jetës dinamike të njeriut të shekullit XX. Atëherë Halili u prit shumë mire nga publiku beogradas dhe nga kritikët e Beogradit. / KultPlus.com

Të ngjajshme