Rrugëtimi me fotografinë përgjatë një dekade (FOTO)

10 Korrik, 2018 - 11:05 pm

Gili Hoxhaj

Arben Llapashtica përfaqëson një natyrë modeste që për punën e tij pëlqen më së shumti të flas përmes fotografive. Përherë në krahë mban një çantë, ndërsa qëndrimi i tij në ulëse është mjaft i shkurtër.

Ata që i përcjellin koncertet e muzikës klasike dhe jo vetëm, pothuajse në shumicën prej tyre e kanë takuar Arben Llapashticën, pasi që ai lëvizë pothuajse në secilin kënd të sallës, e është vigjilent në gjithçka që ndodhë brenda saj. Ata që nuk arrijnë të jenë prezent në koncertet e emrave të mëdhenj të muzikës klasike në Kosovë, momentet dhe emocionet e tyre i kanë përjetuar përmes fotografive të shkrepura nga ai.

Një pjesë e njerëzve mund të mos e njohin për nga dukja e tij fizike, por fotografitë e tij arrijnë t’i identifikojnë shumë lehtë. Në fotografitë e tij nuk ka paragjykime, aty përfshihet gëzimi e brenga, aktivitete e njerëz të moshave e komuniteteve të ndryshme. Në fotografitë e tij gjen objekte e klerikë të feve të ndryshme, madje edhe brenda një fotografie të vetme.

Pasioni i tij për fotografinë është i natyrshëm, veçmas në momentet kur shkëputet nga të pranishmit derisa gjen një shprehje fytyre apo qëndrim që mund ta përfaqësojë momentin e duhur. Ato momente, ai nuk i kap vetëm brenda një salle koncertale apo eventi të mbyllur, ai shkon përtej kësaj, duke eksploruar në lartësitë e natyrës dhe në zonat më të thella të saj. Ekspeditat e tij në maje të larta, nuk janë të pakta. Në fotografitë e tij gjen perëndimin e lindjen e diellit, gjen fshatrat më të thella të Kosovës, e qytetet e njohura të botës, gjen zanatlinjtë e vjetër, që sipas tij po pakësohen, gjen fytyra të njoma derisa shijojnë ritmin e lojës. Krahas fytyrave të njohura, në fotografitë e tij ka edhe fytyra tërësisht të panjohura, por që flasin për një realitet të përditshëm.

Përveç ndërtesave të famshme të kryeqytetit, në fotografitë e tij gjen lokalitete e monumente më të vjetra e më të paeksploruara, që i përkasin trashëgimisë kulturore. I gjithë ky aktivitet i fotografit Llapashtica ka bërë që fotografitë e tij të jenë takimi i parë virtual i të huajve me Kosovën. Krahas të gjithave, në fotografitë e tij, një vend të veçantë ka edhe bota shtazore. Të gjithë ata që kanë fotografi të shkrepura nga Arben Llapashtica, ato i ruajnë në sirtarin e fotografive më të mira që kanë.

Arben Llapashtica tashmë më shumë se një dekadë merret në mënyrë aktive me fotografinë, gjë që e ka bërë të pranishëm edhe në shumë projekte që lidhen me fotografinë, ndërsa që në garën e parë për fotografi ai arrin të shpërblehet, që ishte dëshmi që rrugëtimi i tij ndodhej pranë suksesit. Në krijimtarinë e tij artistike tashmë numëron një numër të madh shpërblimesh. Publikimi i fotografive në rrjetet sociale e kanë bërë artin e talentin e tij edhe më të dukshëm, ku sot numëron mbi 8 mijë persona që e ndjekin dhe i pëlqejnë vazhdimisht fotografitë e tij. Çdo përgëzim për punën që ai bën, ka qenë një hap inkurajimi për punën e tij prej fotografi.

“Me fotografi fillova të merrem aktivisht në vitin 2006. Në kuadër të një shkolle për gazetari (KIJAC), kishim një lëndë për foto dhe ishim aktiv për realizimin e storjeve te shkruara. Pastaj fillova t’i postoj fotografitë në rrjete sociale, dhe motive shtesë me jepnin njerëzit duke i pëlqyer ato. Kam marr pjese për here te parë me një garë për fotografi, foto maratonë ku i kishim 24 ore për realizimin e disa temave, jam shpërblyer me një çmim për këtë maratonë, ishte një motiv shtesë për te vazhduar me fotografi”, shprehet Llapashtica.

????????????????????????????????????

Nga çmimet e para të tij, Llapashtica veçon çmimin nga Ministria e Integrimeve, e cila atëherë ishte vetëm si zyre, apo Departament, Llapashtica përmes një fotografie të veçantë kishte shprehur atë që e përshkruan si vlerë evropiane.

“Zyra kishte një garë për fotografi se si përshkruhen vlerat evropiane në Kosovë, unë e pata dërguar një lopë me një numër në vesh, e cila përshkruante regjistrimin apo martikulimin e kafshëve. Kjo për mua ishte një vlerë evropiane, sepse akoma nuk kishte filluar regjistrimi i njerëzve që nga viti 1981, kurse i kafshëve po”, tregon Llapashtica për KultPlus.

Fotografitë e Llpashticës, takimi i parë virtual i të huajve me Kosovën

Aktivitetet e tij të shumta me fotografinë janë kryesisht sociale, të paaranzhuar, spontane dhe bazohen kryesisht në mbrojtje te ambientit dhe trashëgimisë kulturore. Shumë nga fotografitë e realizuara, ai thotë se i ka dhuruar edhe nëpër ambasada te Kosovës në botë, krejt me qellim të promovimit më të madh të Kosovës. Në këtë mes, ai veçon ekspozitën në Nju Jork për 10 vjetorin e pavarësisë, ku ka ekspozuar së bashku me fotografin e njohur Shkelzen Rexha. Fotografitë e tij të shkrepura nga një kënd i veçantë, që shpesh arrin të jetë gjithëpërfshirës, kapë horizontin e Prishtinës në vendet më të spikatura. Nuk mungojnë as fotografitë e vendeve të tjera të Kosovës, e të lokaliteteve e monumenteve arkeologjike. Duke qenë se fotografitë e Llapashticës janë dominante në Ëikipedia, ato kanë bërë që të jenë takimi i parë vizual i të huajve që duan të dijnë më shumë për Kosovën e lokalitetet që vlen të vizitohen. Garimi i tij në konkurse të tilla për pasurimin e Ëikipedias me informata për Kosovën, e kanë nxjerrë atë fitues të shumëfishtë.

“Meqë informatat për Kosovën kanë qenë shumë të varfra, disa organizata kane hapur konkurse garuese për fotografi e artikuj, në mënyrë që ta pasurojnë enciklopedinë, andaj jam shpërblyer shumëfish në këto gara me vendet e para për foto. Gjithashtu ndihem mire për kontributin që kam dhënë për ËIKI Loves Monument ku jam shpërblyer 6 herë radhazi. Ky aktivitet garues ka filluar më 2012 si një provë e vogël në Holandë, e cila mblodhi 12.500 fotografi. Më 2015 me 6.618 fotografë ngarkuan mbi 231.000 fotografi të licencuara lirshëm të ndërtesave historike, monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore në 33 vende, duke përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh tutje Llapashtica.

Kujtimet e mira që e lidhin me vendlindjen e tij Novoberdën, e lidhja e tij e fortë me djalin e tij, Noarin ka bërë që Novoberda si vend, e djali i tij Noari të jenë më së shumti në fokus të fotografive të tij.
“Unë vij nga Novobërda, edhe pse nga vitet e 1994 nuk kam jetuar atje, por kam kujtime te mira nga atje. Mendoj se fotot më dominuese i kam të djalit tim Noarit dhe tani të Novobërdës”, tregon Llapashtica.

Rreth 300 koncerte klasike nën objektivin e Arben Lapashticës

Llapashtica mund të konsiderohet edhe një urë pasqyrimi i koncerteve klasikë në Kosovë. Prania e tij aktive në koncertet e ndryshme të muzikës klasike që organizohen në Kosovë, kanë bërë që ai me aparatin e tij të ngrij momentet kulminante të rreth 300 koncerteve të tilla. Shumë dirigjentë, performues e instrumentistë nga Kosova e më gjerë, i ruajnë këto momente me vulën e fotografit Arben Llapashtica. Këtë punë ai e kishte rrumbullakuar në një ekspozitë të quajtur “Simfonia e ndritur” të kuruar nga Afrim Spahiu, e cila më pas kishte rrugëtuar edhe në Novi Sad.

“Një aktivitet tjetër qe e kam shume për zemër janë koncertet e muzikës klasike qe i realizoj nga viti 2009. Si fotograf zyrtar i Filharmonisë se Kosovës kam qenë pjesëmarrës i rreth 300 koncerteve, festivale si DAM, Chopin, Re Musica të muzikës klasike, të cilat janë mbajtur kryesisht në Kosovë”, tregoi tutje fotografi Llapashtica.

Shpesh mund ta gjesh vetën brenda hapësirës ku veprojnë zanatlinjtë e vjetër të Kosovës, përkushtimin e tyre në punë, tashmë veçse e ka përjetësuar në pamje, fotografi Llapashtica. Ai thotë se i ndjek me shumë dëshirë aktivitetet e tyre, ndërsa thotë se është përpjekur që punën e tyre ta dokuemntoj në një ekspozitë, para se ata të zhduken.

“Fotot përmbajnë artizanate që kryesisht janë në zhdukje si saraq, nallban, këpucëtar. Në vende tjera këto zanate edhe pse janë në zhdukje shkaku i industrializimit dhe globalizimit shteti apo komuna i mbështesin edhe për atraksion turistik”, tregon Llapashtica në një intervistë për KultPlus.

Duke qenë se Llapashtica është zhvilluar në telvizion, edhe pse vazhdon të punoj për disa institucione të rëndësishme si fotograf, si thotë se televizioni dhe kamera mbetet puna e tij primare, pasi që çdo ditë e kalon pranë kamerës. Llapashtica në intervistën e dhënë për KultPlus tregon se karrierën profesionale me kamerën e ka filluar janarin e vitit 2001, si kameraman në KTV- Kohavision , aty ku vazhdon të punoj edhe sot, ndërsa gjatë karrierës së tij ka realizuar shumë storje që nga paslufta e deri më sot, duke dokumentuar proceset më të rëndësishme në të cilat ka kaluar Kosova gjatë këtyre viteve. Krahas dinamikës së punës, Llapashtica tregon se me shumë dëshirë i përvishet punës për realizimin e ndonjë dokumentari.

“Gjatë punës time kam marr pjesë në shumicën e proceseve madhore që ka kaluar Kosova deri me tani, siç është periudha transitore e pasluftës, trazirat, proceset negociatore në Austri, Pavarësia e Kosovës, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në lobimin për njohjen e Kosovës në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Kur gjej kohë, me shumë dëshirë realizoj edhe ndonjë dokumentar si autor”, tregon fotografi e kameramani Arben Llapashtica.

Duke qenë se Llapashtica është fotograf e kamerman i pasluftës dhe ka dokumentuar mjaft shumë në realitetin e pasluftës së Kosovës, ai edhe pse i përket gjeneratës së re të fotografëve, qëndron në atë se zhvillimi i teknologjisë ka ndikuar mjaft shumë në degradimin e fotografisë. Krejt në fund, ai tha se ka edhe një porosi për fotografët e rinj.

“Meqë është shekulli i fotografisë prapë se prapë është njëfarë lloj zhvillimi, me kujtohet pas luftës i kam njohur 7 apo 8 fotografë, tani çdo të dytin e sheh me një kamerë në qafë dhe kjo te bënë të ndihesh mirë. Andaj, uroj që të kapen sa më shumë momente dhe pse jo të shpërndahen, personalisht nuk i mbaj të gjitha fotografitë për vete, shumicën i ndaj edhe me te tjerët përmes rrjeteve sociale”, u shpreh për fund fotografi Arben Llapashtica./ KultPlus.com

?????????????????

Të ngjajshme