8 Maj, 2024 - 4:01 pm
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita retrospektivë e artistit Gjelosh Gjokaj, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, të mërkurën, 15 maj në ora 19:00.
Ekspozita e cila është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi për nder të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokaj, përfshinë vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt. Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokaj, si dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 7 korrik, 2024./KultPlus.com