16 Qershor, 2022 - 9:28 am
“Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare” është projekti i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” përkrahur nga shoqata humanitare “Sali Çekaj” në Gjermani, përmes të cilës organizatorët po synojnë të paraqesin trashëgiminë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri përmes fotografive.
Ky projekt do të implementohet në fushën e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, i cili do t’i ekspozojë fotografitë të cilat tregojnë autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri.
Me këtë aktivitet organizatorët synojnë të ndikojnë në njohjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar me të kaluarën, kulturën dhe traditën e popullit shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe më gjerë.
“Të gjeturat tona që do të prezantohen nëpërmjet kësaj ekspozite, jo vetëm në Muzeun Kombëtar të Kosovës, por edhe në qendrat e ndryshme kanë qëllim të njohjes me të kaluarën jo të largët, rëndësinë në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe argumentimin e së kaluarës shqiptare në krahinën e Sanxhakut në veçanti”, thuhet nga organizatorët.
Fiset shqiptare (Kelmend, Kuç, Hot, Shalë, Shkrel, etj.) iu nënshtruan asimilimit të gjatë shekullor, fillimisht si myslimanë dhe përfundimisht si boshnjakë. Por, të gjitha dëshmitë flasin se kjo trevë edhe në ditët e sotme është e banuar nga shqiptarët, edhe pse pjesa dërmuese e tyre deklarohen boshnjak, jo më larg se në brezin e dytë na dalin puro shqiptarë.
Fotografitë e dokumentojnë thelbin e epokave të ndryshme më mirë se çdo medium tjetër, por janë më shumë se formë e dokumentimit. Ato inkorporojnë vlerat artistike- tregojnë histori të pa thëna apo të pa shkruara me fjalë. Sa i përket Sanxhakut të Pazarit të Ri forma më e mirë për të dëshmuar të kaluarën shqiptare të tij kujtojmë se është fotografia.
“Nëpërmjet fotografisë ne do të dokumentojmë traditën, mënyrën e jetesës, veshjen, kulturës, mjetet e punës, shtëpitë e banimit, ushqimit, si dhe toponimet. Nëpërmjet fotografisë ne do t’i paraqesim edhe traditën e kësaj popullate, bie fjala dasmat, eposin e lahutarëve, folklorin, lojërat tradicionale popullore, doket, zakonet, zejet, mjetet e punës, mënyrën e jetës në fshat, objektet e banimit dhe imazhet të ndryshme të vendbanimeve”, thuhet tutje.
Ekspozita do të ndikoj në masë të duhur tek studentët aktual dhe te ata që vijnë që të merren me studimin e këtij rajoni. Ekspozita mendohet të jetë një kontribut i madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare në këto vise të cilat pothuajse janë krejtësisht të asimiluara. / KultPlus.com