28 Qershor, 2022 - 8:00 pm
Artistja Erblina Karaliti do të jetë nikoqire e ekspozitës së radhës në objektin kulturor ‘Europe House Kosovo’, e cila hapet për publikun më 1 korrik në ora 17:00.
Ekspozita e titulluar “2055” vjen nga artistja e re në moshë nga ndikimi i rreziqeve që i kanosën planetit Tokë. Tematika e kësaj ekspozite do të jetë pikërisht neglizhimi i planetit ku jetojmë dhe demet që i shkaktojmë çdo ditë secili prej nesh.
Sipas artistes, fëmijët dhe gjeneratat më të reja nuk kanë mundësi t’i përjetojnë dimrat me borë të thellë, ndërsa ekziston rreziku i madh që për shkak të ndryshimeve klimatike deri në vitin 2055, gjeneratat e ardhshme të përjetojnë planetin tokë edhe pa drunjë dhe pyje të dendura.
Për këtë arsye ekspozita e titulluar “2055” nga piktorja Erblina Karaliti, përmes pikturave me peisazhe të natyrës dhe pikturave tjera konceptuale, shërben si thirrje nga artistja Karaliti për vetëdijësim dhe veprim ndaj ndryshimeve klimatike.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 15 qershor./Express/ KultPlus.com