Sekreti i fundit i Van Gogh-ut

11 Gusht, 2020 - 6:00 pm

Edhe pse 130 vite larg nga vdekja e tij, piktori i madh holandez ende befason. Në Auvers-sur-Oise, siç shkruan “Le Parisien”, një nga specialistët më të mëdhenj botërorë të Vincent Van Gogh-ut, Wouter Van der Veen, ka zbuluar vendin ekzakt që frymëzoi veprën e tij të fundit piktorike “Rrënjët” (“Racines d’arbres”). Një zbulim ky hedh dritë edhe mbi orët e fundit të jetës së artistit, që e vrau veten më 29 korrik të vitit 1890.

Lajmi është zbuluar në Institutin Van Gogh të Amsterdamit, në kuadër të përvjetorit të vdekjes së tij. Siç ndodh shpesh, zbulimi erdhi si pasojë e një sërë situatash rastësore të njëpasnjëshme. Gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit, drejtorit të Institutit të Van Gogh iu desh të qëndronte i mbyllur në shtëpi.

“Në ato rrethana nisa të vendos pak rregull. Disa muaj më parë kisha skanerizuar disa kartolina të vjetra të viteve 1900-1910, të cilat i përkisnin një zonje të vjetër të Auvers-it. Në ekran u shfaq njëra prej tyre, me një çiklist që kishte ndaluar në anën e një shtegu, që sot quhet rruga ‘Daubigny’. Ajo që tërhoqi vëmendjen time ishte një pemë me rrënjët e saj të dallueshme, që më bënin të mendoja se diku i kisha hasur. Se ai imazh për mua ishte i njohur”, ka thënë Wouter Van der Veen.

Për dy ditë, eksperti e ka zmadhuar atë shkrepje në të gjithë mënyrat, duke e krahasuar me pikturën e Van Gogh-ut. Pas kësaj, ai shkoi ta shikojë nga afër vendin.

“Edhe mua vetë më dukej disi e pabesueshme. Por, më tej, duke avancuar me kërkimet, kuptova se çdo gjë po përputhej”.

Dhe, në fakt, ato rrënjë të pikturuara nga Van Gogh-u ishin ende atje, në atë vend magjik të Auvers-it. Ndonëse sot qëndrojnë të mbrojtura përmes një rrjete, do t’i zbulohen së shpejti publikut dhe do të bëhen pjesë e itinerareve turistike të qytetit.

“Ajo pikturë është realizuar nga Van Gogh-u po të njëjtën ditë që Van Gogh-u u nda nga kjo jetë. Ai e kishte zakonin që të punonte pranë Hostel Ravoux-it, ku kishte marrë edhe një dhomë. Mund të mendohet se kishte nisur të punojë pa asnjë motiv specifik, me qetësi. Punën e kishte nisur në mëngjes dhe pastaj e kishte rifilluar më vonë. Kjo mund të thuhet pasi drita që ndriçon rrënjët është ajo e një pasditeje të vonë”.

Pra, Van Gogh-u është rikthyer në pensionin e tij për të lënë pikturën dhe pastaj ka dalë sërish. Bazuar në intuitën e tij dhe të dhënat që ka mbledhur, eksperti thotë: “Vetëvrasja e tij, pikërisht gjatë kësaj kohe, midis orës 19 dhe 21, tregon sipas mendimit tim gjendjen e kthjellët në të cilën gjendej në momentet kur vendosi t’i jepte fund jetës. Një situatë shumë e largët nga imazhi i një njeriu të dehur, që ka rënë pre e një krize çmendurie”. /Panorama /KultPlus.com

Të ngjajshme