21 Nëntor, 2019 - 10:26 pm
Këto fotografi, të shkrepura nga fotografë të njohur çekë e sllovakë, dokumentojnë ngjarjen e njohur si Revolucioni i Kadifenjtë.
Të përmbledhura në ekspozitën “The Velvet Revolution”, fotografitë shpërfaqin momentet e para në historinë bashkëkohore të Çekisë, që udhëhoqën në rënien e diktaturës komuniste.
Në 30-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, Ambasada e Republikës së Çekisë dhe Zyra Ndërlidhëse e Sllovakisë në Prishtinë, organizuan ngjarjen e titulluar “30 vjet demokraci”, raporton KTV.
Krahas ekspozitës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u shfaq edhe dhe dokumentari “The Bright Sport”.
“Ngjarjet e vitit 1989 filluan një proces me ndryshime, që solli prosperitetin e sotëm. Republika Çeke është bërë një prej vendeve më të zhvilluara. Përkushtimi ynë për demokraci dhe bashkëpunim ka mundësuar që të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Pavel Bílek, ambasador i Republikës së Çekisë në Kosovë.
“Ndryshimi i atyre viteve ishte tepër i madh për t’u gëlltitur. Ai rezultoi me kapje shteti, korrupsion dhe nivel të paprecedent të krimit të organizuar. Të gjithë e dinim se nëse nuk e kapnim këtë mundësi, vendi do ta kishte të vështirë integrimin euroatlantik. Por, askush nuk e vë në dyshim vendimin e drejtë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, tha Rastislav Kostilní, Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë.
Në 30-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë u përkujtuan ngjarjet që i dhanë fund regjimit totalitar në ish-Çekosllovaki dhe që përcaktuan të ardhmen evropiane të të dy popujve.
Ekspozita “The Velvet Revolution” do të qëndrojë e hapur deri më 1 dhjetor. /KultPlus.com